Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

PROF. AS. DR. SONELA STILLO EMËROHET DEKANE E FAKULTETIT TË SHKENCAVE NATYRORE DHE SHKENCAVE HUMANE

Në datën 30 qershor 2021, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello, zhvilloi një takim me stafin akademik e ndihmësakademik të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, gjatë të cilit bëri emërimin e prof. as. dr. Sonela Stillos si dekane të këtij fakulteti. Ndërsa i uroi dekanes së re suksese në detyrë, Rektori shprehu besimin se me punë, përkushtim dhe me frymë bashkëpunimi do të ecim të gjithë së bashku edhe më përpara, si një familje  e madhe, në të cilën gjithsecili do të kryejë detyrën e vet, për të kaluar me sukses të gjitha sfidat që mund të na dalin përpara.

Ish-dekani i këtij fakulteti, pedagogu, prof. dr. Gjergji Pendavinji, i uroi dekanes së porsaemëruar suksese dhe theksoi se me punë dhe përgjegjësi të lartë, stafi i këtij fakulteti i ka kapërcyer me sukses të gjitha sfidat me të cilat është përballur, duke u shprehur besimplotë se në këtë mënyrë do të vijojë të punojë edhe në të ardhmen për të mbajtur lart emrin e fakultetit dhe të Universitetit “Fan S. Noli”.

Profesore Sonela Stillo falënderoi edhe njëherë stafin e FSHNH për mbështetjen dhe besimin që i dhanë. Ajo tha se: “Motoja ime është puna prandaj jam e sigurt se në vijimësi të përvojës së deritanishme ne do të ecim së bashku për t`i bërë gjërat ashtu siç duhet”.  

Leave a Reply