Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U ZHVILLUA NË UNIKO SESIONi INFORMUES PËR STUDENTËT NË DITËN KOMBËTARE TË RUMANISË

Në datën 30 nëntor 2020 u zhvillua për studentët e UNIKO sesioni informues mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën rumune, organizuar nga Qendra Rumune e Informimit, Korçë, në bashkëpunim me departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë dhe departamentin e Gjuhëve të Huaja të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë me rastin e Ditës Kombëtare të Rumanisë. Në këtë sesion shkencor, i cili u zhvillua online në platformën Teams, pedagogët pjesëmarrës, nëpërmjet kumtesave të tyre, nënvizuan aspekte të veçanta të gjuhës, kulturës dhe letërsisë rumune. Dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho solli në vëmendje ndikimin e poetëve rumunë në letërsinë shqiptare. Përgjegjësja e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Anyla Saraçi u ndal mbi disa veçori të përbashkëta të sistemit fonetik të rumanishtes me shqipen, ndërsa përgjegjësja e departamentit të Gjuhëve të Huaja, phd. Daniela Stoica kishte përgatitur kumtesën “Terma të krishterë me origjinë latine në shqip dhe në rumanisht”. Sesioni shkencor vijoi me kumtesa të tjera mjaft interesante të pedagogëve të këtyre departamenteve si: “Lirika e Emineskut! Ndikimi dhe prangimi i Lasgushit në oazin e tij letrar” nga dr. Ilir Shyta; “Nyja shquese e pasvendosur në gjuhën shqipe dhe rumune” nga dr. Hysnie Hyska; “Mërgimi i përjetshëm, si burim i frymëzimit letrar tek disa autorë franko-rumunë” nga dr. Fabiola Kadi; “Marrëdhënia e rrëfimit të Mitrush Kutelit me autorë rumunë” kumtesë e mbajtur nga pedagogu msc. Neli Naço dhe kumtesa e dr. Eris Rusit “Përkthimi letrar si një sfidë shumëdimensionale”.

Sesioni shkencor u bë mjaft interaktiv edhe nga diskutimet dhe pyetjet e studentëve, të cilët e ndoqën atë online.

Leave a Reply