Në datën 2 qershor 2023 në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filoogjisë u zhvillua një veprimtari për promovimin e librit më të ri të autorit Eris Rusi “Dritarja majë çatisë”.
Për shkrimtarin dhe përkthyesin, dr. Eris Rusi, njëherësh edhe pedagog i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, ky libër me 16 tregime vjen si një përmbledhje e lartësuar e botimeve të tij, një libër që kumbon fort për vetminë dhe melankolinë në botën e sotme, ku shpesh njerëzit bëjnë sikur e kuptojnë dhe e duan njëri-tjetrin.
Miq, kolegë e dashamirës të shkrimtarit Eris Rusi kanë shprehur vlerësimet e tyre për këtë botim, si: prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i FEF; përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Schnell”, znj. Eralda Baze, pedagogët dr. Ilir Shyta e dr. Neli Naço.
Ata theksuan se libri me tregime “Dritarja majë çatisë” është një befasi e këndshme për lexuesit e prozës së shkurtër shqipe. Të gjashtëmbëdhjetë tregimet, janë histori të shkurtra ku bota e personazheve flet me gjuhën e shqetësimeve të kohës, ku fatet njerëzore i përulen fatit, të papriturës, tragjedisë dhe gdhihen e ngrysen me pasigurinë e jetës, që nuk është asnjëherë e plotë. Ky libër, është si një dritare e hapur, ku lexuesi mund të zgjatë dorën e të marrë nga qielli muzgun në sfond, shkëlqimin e hënës, vetminë e yjeve. Dashuria, shpaloset në formën e një ëndrre, e cila asnjëherë nuk përfundon, pas së cilës nuk vjen zgjimi i menjëhershëm, por përkundja në një tjetër botë, ku njeriu është i ngrohur veç nga zemra e tij.
Për kënaqësinë e pjesëmarrësve në këtë përurim, studentët interpretuan disa pjesë nga libri bashkë me urimin sukses të mëtejshme për pedagogun e tyre.