Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U NËNSHKRUA MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT MIDIS UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË DHE AGJENCISË SË ZBATIMIT TË GJUHËS TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT ME QËLLIM REALIZIMIN E PROJEKTEVE TË PËRBASHKËTA, HULUMTIME, NGRITJEN E KAPACITETEVE TË EKIPEVE PROFESIONALE TË PALËVE, SI DHE PËR MBËSHTETJE TË NDËRSJELLË GJATË REALIZIMIT TË VEPRIMTARIVE TË PËRBASHKËTA

Në datën 23 shkurt 2022, Universiteti “Fan S. Noli” lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja u nënshkrua nga titullarët e të dy institucioneve, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello dhe drejtori i AZGJ-së, dr. Ylber Sela gjatë një takimi të zhvilluar në mjediset e Rektoratit, ku ishin të pranishëm drejtues të Universitetit dhe të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, si dhe pedagogë të këtij Fakulteti. Gjatë takimit Rektori, prof. Dhimitri Bello ndër të tjera përgëzoi stafin e AZGj-së për punën e bërë për zbatimin e gjuhës në RMV si gjuha e dytë zyrtare atje, duke u uruar suksese në këtë mision që përballet me sfida e vështirësi. Ai shprehu bindjen se profesorët dhe pedagogët e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin tonë do të japin kontributin e tyre në këtë bashkëpunim.  Drejtori i AZGJ-së, dr. Ylber Sela shprehu kënaqësinë që lidhet kjo marrëveshje me Universitetin e Korçës, në kuadër të së cilës synohet të realizohen projekte të përbashkëta, hulumtime, ngritja e kapaciteteve të ekipeve profesionale të palëve, si dhe mbështetje e ndërsjellë gjatë realizimit të veprimtarive të përbashkëta. Pas një prezantimi të shkurtër të veprimtarisë së kësaj agjencie relativisht të re në moshë, u fol konkretisht për veprimtaritë me të cilat mund të fillojë ky bashkëpunim siç është edhe Konferenca e Toponomastikës që pritet të zhvillohet së shpejti. Ndërkohë gjatë këtij takimi u bë edhe një prezantim i botimit “Gjuha Shqipe para dhe pas miratimit të përdorimit të gjuhëve të vitit 2019”. Për rëndësinë që ka ky bashkëpunim në shkëmbimin e përvojave mes njëri-tjetrit folën edhe dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, përgjegjësja e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë prof.as. dr. Anyla Saraçi, si dhe përfaqësues të tjerë të të dy institucioneve, të cilët dhanë sugjerime se si mund ta shtrijnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre për të cilat shfaqin interes të përbashkët.

Leave a Reply