KALENDARI I VEPRIMTARIVE QENDRA RINORE E SPORTIVE 2017-2018 (pdf) (kliko)
VEPRIMTARI
STUDENTËT E KLUBIT TË VULLNETARËVE NË UNIKO, FESTUAN 1 QERSHORIN ME VOGËLUSHËT E SHTËPISË SË FOSHNJËS “LULET E VOGLA” NË KORÇË
Në datën 1 qershor 2018, në ditën e fëmijëve, studentët e Klubit të Vullnetarëve të Qendrës Rinore e Sportive të Universitetit “Fan S. Noli”, kanë qenë mes vogëlushëve të shtëpisë së foshnjës “Lulet e vogla” në qytetin e Korçës. Me mbështetjen e përgjegjëses së kësaj qendre, dr. Edlira Menkshi, studentët u çuan atyre plot dhurata, të cilat megjithëse modeste i lumturuan ata. Gëzimi në sytë e vogëlushëve tregoi se dhurata më e çmuar ishte ngrohtësia dhe dashuria, që studentët treguan, duke festuar së bashku në këtë 1 Qershor.
U ZHVILLUA NË UNIKO KAMPIONATI I FUTBOLLIT 2018
Në datën 25 prill 2018, u zhvillua në UNIKO përballja finale e Kampionatit të Futbollit 2018, midis ekipeve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ku ky i fundit fitoi edhe kupën e tij. Sipas përgjegjëses së Qendrës Rinore dhe Sportive, Edlira Menkshi, e rëndësishme gjatë kësaj veprimtarie ishte përzgjedhja e të rinjve më të talentuar, të cilët do të përfaqësojnë UNIKO në veprimtaritë sportive që do të organizohen midis universiteteve brenda dhe jashtë vendit.
KLUBI I VULLNETARËVE TË UNIKO NIS ORGANIZIMIN E NJË VEPRIMTARIE NDËRGJEGJËSUESE NË KUADËR TË 2 PRILLIT DITËS NDËRKOMBËTARE TË AUTIZMIT
Në datën 21 mars, Klubi i Vullnetarëve të UNIKO, zhvilloi një takim me përfaqësues të Qendrës Rinore në Korçë dhe Shoqatës MEDPAK, për organizmimin e një veprimtarie ndërgjegjësuese, në kuadër të 2 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. Në takim u dhanë mendime dhe ide për mënyrën e zhvillimit të kësaj veprimtarie, e cila ka për qëllim edukimin e njerëzve rreth kësaj sëmundjeje. por nga ana tjetër edhe ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë.
STUDENTËT E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, GJATË VIZITËS NË KOSOVË U TAKUAN EDHE ME ZËVENDËSKRYEMINISTRIN FATMIR LIMAJ
Studentët e Universitetit “Fan S. Noli” zhvilluan një vizitë dy ditore në Kosovë. Ndalesa e parë ishte qyteti karakteristik i Prizrenit, ku vizituan Shtëpinë e Flamurit dhe u njohën me historinë e tij. Në Prishtinë studentët vizituan Kolegjin UBT si dhe Universitetin e Prishtinës, ku zhvilluan një takim edhe me Zëvendëskryeministrin Z. Fatmir Limaj, i cili shprehu gatishmërinë të forcojë bashkëpunimin midis të rinjve të të dy vendeve. Në takim u diskutua edhe për projektet e përbashkëta të studentëve në Shqipëri e Kosovë.
Studenti Dejvi Hoxha tha se mbetën të kënaqur nga vizita në Kosovë. Pritja ishte shumë e ngrohtë dhe me bashkëmoshatarët shkëmbyen ide, mendime e përvoja interesante nga jeta e tyre studentore.
STUDENTËT E UNIVESITETIT “FAN S. NOLI” MORËN PJESË NË AKSIONIN PËR PASTRIMIN E QARKUT TË KORÇËS
Në datën 9 shkurt në kuadër të ditës së pastrimit të qarkut të Korçës, universiteti “Fan S. Noli” iu bashkua nismës së prefekturës Korçë për të pastruar disa nga zonat më problematike. Në këtë aksion morën pjesë forcat e ushtrisë, studentët e universitetit “Fan S. Noli” si edhe nxënës të shkollës “Faik Konica”, të cilët ndërhynë në pastrimin e aksit Korçë- Kapshticë. Veprimtari të tilla kanë për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për të mbrojtur dhe për të mbajtur pastër mjedisin.
KLUBI I VULLNETARËVE TË QENDRËS RINORE E SPORTIVE TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” SHTRON DREKË BAMIRËSIE PËR NJERËZIT NË NEVOJË TË QYTETIT TË KORÇËS
Klubi i vullnetarëve të Qendrës Rinore e Sportive të universitetit “Fan S. Noli”, shtroi në mencën e Mitropolisë së Korçës një drekë bamirësie për njerëzit në nevojë të qytetit. Studentët e këtij klubi çdo të martë, më të ardhurat e grumbulluara vullnetarisht do të mundësojnë një vakt ushqimor për njerëz në nevojë, duke e kthyer këtë në traditë. Nëpërmjet veprimtarive të tilla ata synojnë të edukojnë ndjenjën e solidaritetit dhe vullnetarizmit tek të rinjtë.
QENDRA RINORE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI “ ORGANIZOI NJË VEPRIMTARI FESTIVE ME STUDENTËT NË KËTË FUNDVITI
Qendra Rinore e Sportive e Universitetit “Fan S. Noli “organizoi në datën 22 dhjetor një veprimtari festive dhe argëtuese me studentë e pedagogë. Përgjegjësja e kësaj qendre dr. Edlira Menkshi së bashku me kolegët uruan studentët t’i kalojnë gëzuar këto festa dhe të kenë suksese të mëtejshme. Kjo veprimtari u shoqërua me këngë e valle për disa orë në hollin e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.
STUDENTËT E PROGRAMIT HISTORI- GJEOGRAFI NË KUADËR TË UDHËTIMEVE TË STUDIMIT, ZBULOJNË DESTINACIONE TË REJA NË SHQIPËRI DHE KOSOVË
Gjatë periudhës maj- qershor 2017, studentët e programit Histori- Gjeografi, në kuadër të udhëtimeve të tyre të studimit, zbuluan destinacione të reja në Shqipëri dhe në Kosovë. Studentët e vitit III u ndalën në veri të vendit, në Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës, ku impresionues ishte kalimi me traget në itinerarin Fierzë- Koman, si edhe vizitat në qytetet historike të Prizrenit dhe Gjakovës në Kosovë.
Monumentet natyrore dhe kulturore në jug të vendit ishin objekti i vizitës së studentëve të vitit II në Kalanë e Gjirokastrës, Parkun Arkeologjik të Butrinit, Parkun e Llogarasë, Parkun Arkeologjik të Apollonisë etj.
Shumë e veçantë ishte edhe vizita e studentëve të vitit I në veri të vendit, të cilët u njohën me monumente historike si: Kalaja e Lezhës, Muzeu Historik i Gjergj Kastriotit në Kruje, Kalaja e Rozafës në Shkodër etj.
Sipas përgjegjëses didaktike të ekspeditave Dr. Edlira Menkshi qëllimi i praktikave mësimore është paisja e studentëve të programit Histori- Gjeografi me njohuri të drejtpërdrejta teorike, të ndërthurrura me përvojën e njohurive konkrete në terren.
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” PARTNER I PANAIRIT TË PUNËS 2017
Në datën 31 Maj Universiteti “Fan S. Noli” në partneritet me Bashkinë e Korçës dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit, organizuan “Panairin e Punës 2017”. Në stendën e universitetit u prezantuan programet e studimit si edhe u orientuan studentët dhe të sapodiplomuarit për kërkesat e punës në rajonin e Korçës. Zëvendëskryetarja e Bashkisë, Znj. Benila Themeli, tha se organizimi i këtij panairi është oferta konkrete e përballjes së të rinjve korçarë me tregun e punës. Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Ali Jashari, u shpreh se studentët do të kenë në duar një diplomë edhe me më tepër vlerë, pasi gjatë procesit të akreditimit universiteti i Korçës, ka marrë një vlerësim shumë të lartë.
Ofertat e preznatuara nga bizneset u panë me interes nga të pranishmit.
DEPARTAMENTI I GJUHËVE TË HUAJA, FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË, ZHVILLOI VEPRIMTARINË ” SHQIPËRIA DJE DHE SOT “.
Në datën 11 maj 2017, Departamenti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, zhvilloi veprimtarinë ” Shqipëria dje dhe sot”. Studentët e Vitit II( Bachelor) të programit të studimit gjuhë angleze, prezantuan projektet me të cilat kishin punuar në kursin e Analizës së tekstit, nën drejtimin e Prof. Nate Boles, Doc. Vasilika Pojani, Dr. Lorena Kole dhe Dr. Edlira Xega. Krahas prezantimit të aftësive gjuhësore të përftuara në këtë lëndë, projektet përçuan edhe mesazhe të rëndësishme për të rinjtë e ditëve të sotme. Për këtë arsye në veprimtari u ftuan edhe nxënës të klasava të 11-ta të shkollës së mesme me profil gjuhësor “Faik Konica”. Në përfundim të veprimtarisë, autoritetet e universitetit i dhuruan bibliotekës së gjimnazit “Faik Konica” një fond librash të profilit gjuhësor, letrar dhe shkencor.
EKIPI PËRFAQËSUES I FAKULTETIT TË BUJQËSISË FITOI KUPËN E “KAMPIONATIT TË FUTBOLLIT 2017” MIDIS FAKULTETEVE TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” TË KORÇËS
Këshilli i Studentëve të Universitetit “ Fan S.Noli” nën kujdesin e kryetarit të këshillit studentor të Fakultetit të Bujqësisë Kristi Bejko, organizoi në datat 19- 20 maj 2017 “Kampinatin e futbollit 2017”. Në ditën e parë në bazë të shortit u ndeshën dy e nga dy skuadrat përfaqësuese të katër fakulteteve. Në datën 20 maj u zhvillua ndeshja finale midis dy fakulteteve fituese të fazës së parë. Kupën për këtë vit e fituan studentët e ekipit përfaqësues të Fakultetit të Bujqësisë. Për të gjithë studentët pjesëmarrës u ndanë certifikata vlerësuese. Studentë dhe pedagogë u bënë pjesë e aktivitetit duke mbështetur skuadrat e tyre. Kjo ishte një ndër veprimtaritë sportive e argëtuese që Këshilli i Studentëve ka në programin e tij për të gjallëruar jetën studentore.
STUDENTËT E PROGRAMIT HISTORI- GJEOGRAFI TË UNIVERSITETIT “ FAN S. NOLI” DHE QENDRA RINORE E SPORTIVE NË KORÇË, ORGANIZUAN VEPRIMTARINË “ REDUKTO- RIPËRDOR- RICIKLO” NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË TOKËS.
Në datën 21 Prill në ambjentet e Universitetit “ Fan S. Noli” të Korçës, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë , studentët e programit të studimit Histori- Gjeografi, së bashku me Qendrën Rinore dhe Soprtive, organizuan veprimtarinë “ Redukto- Ripërdor- Riciklo’ në kuadër të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Veprimtaria filloi me një ekspozitë në ambjentet e Universitetit, ku studentët kishin përgatitur stenda me materiale të ndryshme dhe treguan se si mund të ripërdoren materialet e riciklueshme për reduktimin e ndotjes së mjedisit. Më pas veprimtaria u zhvendos në qendër të qytetit të Korçës, nga ku studentët përcollën mesazhe të ndryshme sensibilizuese, duke ftuar jo vetëm bashkëmoshatarët ,por edhe qytetarët t`u bashkohen në këtë veprimtari ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit dhe tokës.