PREZANTIME TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË PANAIRIN V MBARËKOMBËTAR TË LIBRIT AKADEMIK DHE SHKENCOR

Në datën 24 prill 2026 Universiteti “Fan S. Noli” mori pjesë në edicionin V të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, të zhvilluar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku prezantoi botimet e tij më të fundit.

Studimi “Themeluesit e komedisë shqiptare” i autorëve prof. as. dr. Eris Rusi dhe prof. as. dr. Jonela Spaho sjell në vëmendje figurat korçare që hodhën themelet e komedisë shqiptare në fillim të shekullit XX. Libri u prezantua nga Jorina Kryeziu (Shkreta), e cila e vlerësoi librin edhe për lidhjen e mesazheve që përcjell vepra me aktualitetin.

Po ashtu, prof. as. dr. Jonela Spaho prezantoi veprën “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, një analizë e thelluar mbi krijimtarinë e një prej personaliteteve të kulturës kombëtare. Një tjetër botim ishte “Bibliografi e arsyetuar për veprën e Lasgush Poradecit” nga dr. Ilir Shyta, që përmbledh trashëgiminë e poetit të madh, ndërsa “Sociologji edukimi” e prof. dr. Irena Nikajt trajton dimensionet sociologjike të edukimit në shoqërinë shqiptare.

Veprat e paraqitura dëshmojnë përkushtimin e Universitetit “Fan S. Noli” në promovimin e dijes, kulturës dhe trashëgimisë letrare shqiptare, duke e vendosur Korçën në një rol të spikatur në hartën akademike kombëtare.

Po gjithashtu, në kuadër të këtij Panairi u prezantua edhe libri me autor prof. as. dr. Eris Rusi “Portreti i një shkencëtari”, kushtuar figurës akademike dhe shkencore të prof. dr. Lekë Gjiknurit.

Libri paraqet një qasje monografike mbi jetën, veprën dhe kontributin shkencor të profesorit Gjiknuri, duke ndriçuar dimensionin e tij profesional, njerëzor dhe intelektual.

Autori Rusi ndër të tjera u shpreh se libri është fryt i një pune kërkimore dhe bashkëpunimi, me synim pasqyrimin e plotë të jetës profesionale dhe shpirtërore të prof. dr. Lekë Gjiknurit.

Në takim pati diskutime dhe vlerësime nga të pranishmit, të cilët theksuan rëndësinë e botimeve të tilla në dokumentimin e trashëgimisë shkencore dhe në promovimin e figurave që kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e shkencës shqiptare.

Postimi i Mëparshëm
BASHKËPUNIMI NDËRINSTITUCIONAL-LEKSION I HAPUR ME STUDENTË TË FSHNH PEDAGOGE E FTUAR PROF. DR. MARGARITA IFTI NGA UNIVERSITETI I TIRANËS
Postimi Pasues
📢 THIRRJE PËR MOBILITET STUDENTËSH – ERASMUS+ 🇮🇹✈️