Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

NË KUADËR TË PROJEKTIT “IDENTIFIKIMI I BARRIERAVE QË NDIKOJNË NË IMPLEMENTIMIN E EKONOMISË RRETHORE NË FERMAT BLEGTORALE NË SHQIPËRI” PARAQITEN REZULTATET E STUDIMIT NË BASHKITË E DIBRËS DHE TË KORÇËS

Në datat 23 dhe 29 Shkurt 2024 në kuadër të veprimtarive të projektit “Identifikimi i barrierave që ndikojnë në implementimin e ekonomisë rrethore në fermat blegtorale në Shqipëri”, pedagogë të Fakultetit të Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” paraqitën rezultatet e studimit në bashkitë e Dibrës dhe të Korçës, me grupet e interesit të përbërë nga fermerë të fermave blegtorale, aktorë të zinxhirit agro-ushqimor, staf akademik, përfaqësues të institucioneve publike, OJF-ve dhe studentëve

Në këto takime, sipas pedagogut, dr. Dorjan Marku u theksua se në Shqipëri, megjithëse zbatimi i praktikave rrethore në zinxhirin ushqimor është pjesë e diskutimeve të politikëbërësve, ka pak prova dhe kërkime se si duhet të përditësohen politikat për zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit agro-ushqimor.

Për më tepër, koncepti i ekonomisë rrethore nuk është i qartë për të gjithë aktorët e përfshirë në prodhimin blegtoral dhe zbatimi i praktikave rrethore është ende në fazat e hershme.

Nëpërmjet qasjes multi-aktoriale, popullata e blegtorëve të anketuar dëshmoi se disa nga faktorët që ndikonin vendimin e tyre për të përdorur praktika rrethore ishin mungesa e politikave adekuate, pamjaftueshmëria e subvencioneve, kostot e larta ekonomike, mungesa e promovimit dhe bashkëpunimit ndërmjet fermerëve dhe aktorëve të zinxhir ushqimor.

Përveç karakterit kërkimor të projektit, rezultatet e të cilit do të publikohen në revista të njohura ndërkombëtare, u vu theksi edhe tek ndërgjegjësimi i grupeve të interesit mbi konceptin e ekonomisë rrethore.

Në këtë kuadër, stafi akademik i angazhuar organizoi një takim informues edhe me maturantë të shkollës profesionale “Nazmi Rushiti” në Bashkinë e Dibrës.  

Leave a Reply