Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

KRIJIMET MË TË MIRA TË STUDENTËVE NË POEZI DHE NË PROZË U BOTUAN NË NJË ANTOLOGJI TË PËRGATITUR NGA FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË E PARA E KËTIJ LLOJI NË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 22 dhjetor 2022 në mjediset e FEF u promovua Antologjia me krijimet më të mira të studentëve të Universitetit “Fan S. Noli” në poezi dhe në prozë e përgatitur nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në kuadër të projektit “Laboratori i Krijimit Letrar”.

Kjo Antologji e para e këtij lloji në Universitetin tonë erdhi si një nismë e FEF nën kujdesin e dekanes, prof. as. dr. Jonela Spaho dhe pedagogut, dr. Eris Rusi, si dhe me mbështetjen financiare të Universitetit “Fan S. Noli”.

Libri u përurua në prani të drejtuesve të Universitetit dhe Fakultetit, pedagogëve, studentëve e ish-studentëve, si dhe të ftuarve të tjerë.

Në fjalën e hapjes pedagogu, dr. Eris Rusi ndër të tjera u shpreh se ky projekt ka për qëllim nxitjen dhe promovimin e talenteve krijuese të studentëve të Universitetit tonë, gjë e cila u arrit përmes veprimtarive të shumëfishta letrare me studentët, takimeve me shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe me fokus tekstet specifike dhe teknikat letrare. Tryezat e rrumbullakëta e diskutimet kritike patën një shtrirje ndërfakultetore, duke përfshirë studentë nga të gjitha programet e studimit.

Rektori, prof. dr. Dhimitri Bello përgëzoi fakultetin për nismën dhe finalizimin me sukses të këtij projekti, si dhe studentët që u angazhuan në të, në veçanti ata studentë që kanë përfunduar studimet dhe rikthehen, duke u bërë pjesë e veprimtarive të ndryshme që Universiteti organizon.

Dekania, prof. as. dr. Jonela Spaho u shpreh se nga komunikimi i vazhdueshëm me studentët dolën në pah premisat premtuese në krijimin e një komuniteit të ri krijuesish nga radhët e studentëve të Universitetit “Fan S. Noli” që në të ardhmen do të jenë në gjendje ta ndryshojnë dhe t`i japin dinamizëm artistik jetës universitare. “Ky rrjet krijuesish do të mundësojë afrimin e studentëve me veprimtaritë kulturore brenda dhe jashtë Universitetit, si dhe do të promovojë jetën studentore përmes botimit të krijimtarisë së tyre letrare”.

Antologjia vjen e ndarë në tre pjesë: “Biblioteka Letrare”, “Nëpër Vite Letrare”, dhe “Laboratori i Krijimit Letrar”. Urimet më të mira u përcollën për të gjithë studentët që punimet e tyre i botuan në këtë Antologji, duke u vlerësuar me certifikata dhe çmime të ndryshme, si një motivim që kjo nismë të kthehet në një traditë për këtë fakultet.

Leave a Reply