Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË NË BASHKËPUNIM ME BASHKINË KORÇË ORGANIZOI VEPRIMTARINË LETRARE: “SKËNDER RUSI -LIRIKU I DHIMBJES SË BUKUR” NË KUADËR TË “TETORIT – MUAJI I LETËRSISË” DHE NISMËS “KËRKIMI SHKENCOR NË LETËRSI” TË ZBATUAR NGA FEF

Në datën 27 tetor 2023, Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Bashkinë Korçë organizuan në mjediset e Muzeut të Artit Mesjetar veprimtarinë letrare: “Skënder Rusi -Liriku i dhimbjes së bukur”. Kjo veprimtari u organizua në kuadër të “Tetorit – Muaji i letërsisë” dhe nismës “Kërkimi shkencor në letërsi” të zbatuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë.

Veprimtaria letrare u fokusua në paraqitjen e librit më të ri të poetit Skënder Rusi, “Dalëngadalë unë po bëhem ikje” i botuar nga shtëpia botuese “Schnell”, ndërsa u ofruan interpretime kritike nga të ftuar dhe studiues të letërsisë për vlerat dhe frymën artistike që përcjellin lirikat e përzgjedhura në libër.

Në fjalën e saj, dekania e Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho e cilësoi poetin Skënder Rusi si një personalitet të letrave shqipe që ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me nismat letrare të organizuara nga Universiteti “Fan S. Noli”, duke dhënë një kontribut të çmuar për studentët dhe dashamirësit e letërsisë.

Nënkryetarja e Bashkisë Korçë, znj. Benila Themeli theksoi përmasat e poetit Skënder Rusi në kontekstin e kulturës dhe letërsisë që promovon në vend e më gjerë, shpirtin dhe identitetin krijues të Korçës së krijuesve dhe artistëve.

Pedagogu i letërsisë, dr. Eris Rusi vuri në dukje se libri më i ri i poetit Skënder Rusi i përgjigjet nevojës që ka poeti për t’u ndjerë i domosdoshëm në jetë dhe, kjo është nevoja e komunikimit poetik. Kushdo që ka jo vetëm mendimet dhe përfytyrimin e mendjes, por edhe emocionin e shpirtit dhe të zemrës e kupton që poezia mund të këmbehet me vetë jetën, me atë ekzistencë të mbërthyer në një fluks fjalësh që të bëjnë të duash dhe të ndjesh.

Pedagogu i letërsisë, dr. Ilir Shyta ofroi një këndvështrim personal nga marrëdhënia me poetin Skënder Rusi dhe përcolli me ndjeshmëri vargje të librit të sapo botuar.

Poetja Gerta Bandilli, nënkryetare e Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re”, vlerësoi dimensionin njerëzor dhe ekzistencial të poezive të përfshira në këtë libër. Ajo solli një qasje interpretuese të poezisë dhe frymës së poetit, duke mundësuar një këndvështrim të vlefshëm edhe për të pranishmit në këtë veprimtari.

Znj. Eralda Baze, administratore e shtëpisë botuese “Schnell” e vlerësoi edhe njëherë përzgjedhjen për të botuar librin më të fundit të poetit Rusi dhe shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me një prej zërave më të veçantë të lirikës bashkëkohore shqipe.

Veprimtaria vijoi me ceremoninë solemne të dorëzimit të certifikatës së mirënjohjes nga Universiteti “Fan S. Noli” për poetin Skënder Rusi, me motivacionin: “Poetit Skënder Rusi, si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të lirikës shqipe bashkëkohore, mik i përhershëm i Universitetit “Fan S. Noli”, me një kontribut gjysmëshekullor në promovimin e kulturës dhe letërsisë, si dhe në formimin shpirtëror të lexuesve të rinj me vlera të mirëfillta letrare dhe estetike”.

Leave a Reply