Fakulteti Ekonomik dhe Biblioteka Shkencore e Universitetit “Fan S. Noli” organizuan një veprimtari në të cilën u promovua Fjalori Krahasimor i 100 Gjuhëve i autorit Oriol Spaho (pas vdekjes).

Fakulteti Ekonomik dhe Biblioteka Shkencore e Universitetit “Fan S. Noli” organizuan një veprimtari në të cilën u promovua Fjalori Krahasimor i 100 Gjuhëve i autorit Oriol Spaho (pas vdekjes). Në këtë veprimtari morën pjesë pedagogë e studentë të FE, si dhe ish-pedagogë, familjarë e të afërm të Oriolit. Dekani i FE, prof. as. dr. Ledina Alolli tha se ky takim zhvillohet për të lartësuar dhe për t’i dhënë shkëlqimin e duhur figurës së një ish-studenti të këtij Fakulteti, i cili u nda nga jeta shumë shpejt, duke lënë pas një punë të jashtëzakonshme, së cilës i kushtoi gjithë jetën. Veprimtarinë e përshëndeti edhe pedagogia, dr. Alda Jashari, e cila vlerësoi dëshirën deri në adhurim të Oriolit për ta rrokur fjalën në gjuhën e huaj që nga rrethanat më të thjeshta dhe të pazakonta të komunikimit njerëzor e deri në përpjekjet për ta mësuar atë me baza të mirëfillta të formimit gjuhësor. Ndërsa u ndal në punën e Oriolit për hartimin e Fjalorit të krahasuar të 100 gjuhëve ajo tha: “….përveçse duket një amanet i plotësuar është edhe një ëndërr e bërë realitet. Lënda gjuhësore e përfshirë, tejet e pasur dhe voluminoze, dëshmon për një punë të gjatë dhe sistematike për vjeljen, përzgjedhjen, përpunimin dhe sistemimin e materialit sikundër dhe përqasjen e njësive leksikore, në jo pak, por 100 gjuhë. Po kaq interesant është qëmtimi i materialit nga korpusi leksikor i disa gjuhëve jashtë familjes së gjuhëve Indo-Evropiane, çka i shton origjinalitetin veprës dhe e bën kontributin e autorit akoma dhe më të çmuar. Analiza përqasëse e elementëve, bashkëshoqëruar me një pasqyrë gramatikore, përmes së cilës synohet një përshkrim i thukët i disa prej veçorive themelore fonetike dhe gramatikore, dëshmon për karakterin praktik të fjalorit”.

Në këtë veprimtari u promovuan edhe dy monografi, “Oriol Spaho, fenomeni që i foli botës në 40 gjuhë” nga publicisti Ilir Bushi, si dhe monografia “Unë ekzistoj” me autor gazetarin Çelik Petritit. Ndër të tjera ata u shprehën se Orioli ka bërë një punë madhështore, e cila ka ende për t`u zbuluar, një politolog që mbeti modest deri në fund të jetës. Vlerësime për Oriolin u bënë edhe nga ish-pedagogë të tij e shkrimatari Ylber Merdani.

Në fund të takimit, z. Kamber Spaho, babai i Oriolit shprehu falënderimet e tij për Universitetin “Fan S. Noli” për organizimin e kësaj veprimtarie dhe njëkohësisht për të gjithë ata që e nderuan dhe vlerësuan Oriolin dhe punën e tij.

Previous Post
SHOQATA SPORTIVE STUDENTORE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË BASHKËPUNIM ME FEDERATËN SHQIPTARE TË SPORTIT UNIVERSITAR ORGANIZOI ME STUDENTËT ECJE NË NATYRË (HIKING) NË KUADËR TË PROJEKTIT “RINIA E SË ARDHMES, MES JETËS UNIVERSITARE, SPORTIT DHE VULLNETARIZMIT”
Next Post
FAKULTETI EKONOMIK DHE BIBLIOTEKA SHKENCORE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” ORGANIZUAN PROMOVIMIN E FJALORIT KRAHASIMOR NË 100 GJUHË TË AUTORIT ORIOL SPAHO (PAS VDEKJES)
Postimet e fundit