EKSPLORIMIN PËR BASHKËPUNIM TË MUNDSHËM NË FUSHËN E ZHVILLIMIT BUJQËSOR DHE TË QËNDRUESHËM NË SHQIPËRI ISHTE NË FOKUS EDHE TË NJË VIZITE QË DELEGACIONI I UNIVERSITETIT WAGENINGEN, HOLLANDË ZHVILLOI NË UNIKO

Në datën 27 maj 2025 një delegacion nga Universiteti i Wageningen, Hollandë vizitoi Universitetin “Fan S. Noli” me qëllim eksplorimin për bashkëpunim të mundshëm në fushën e Zhvillimit Bujqësor dhe të Qëndrueshëm në Shqipëri.

Delegacioni i përbërë nga Herman Snel, Monica Sopov, Marianne Van Dorp në prani edhe të përfaqësuesve të AADF-së, Enrik Keco dhe Ola Gliozheni u pritën fillimisht në një takim nga drejtues të UNIKO në mjediset e Rektoratit.

Rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi u uroi miqve mirëseardhjen dhe i njohu shkurtimisht me veprimtarinë që zhvillon UNIKO, si i vetmi institucion i Arsimit të Lartë në Qarkun e Korçës, që përfshin të gjitha fushat e studimeve që nga shkencat natyrore, bujqësore, humane, filologjike, edukative dhe një pjesë të degëve të shëndetit human. Ai tha se në vitet e fundit veprimtaritë dhe ofertat akademike të Universitetit janë parë në funksion të zhvillimit rajonal, ndërsa u ndal edhe në punën e nisur për transformimin e Universitetit, si dhe në bashkëpunimin me AADF etj.

Po gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Universiteti i Wageningen, Hollandë zhvilloi një tryezë të rrumbullakët edhe me stafin e Fakultetit të Bujqësisë.

Dekani, prof. as. dr. Besnik Skënderasi i njohu me veprimtarinë që zhvillon ky fakultet, ndërsa më pas u zhvillua një diskutim i gjerë për punën aktuale dhe për probleme me të cilat haset stafi i FB, duke i`u përgjigjur edhe interesit të miqve nga Hollanda në lidhje me programet, studentët, infrastrukturën, lidhjet me biznesin rajonal etj.

 

Postimi i Mëparshëm
NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE NË BASHKINË KORÇË
Postimi Pasues
FONDACIONI ALSAR SHPËRNDAU BURSAT E EKSELENCËS PËR 25 STUDENTË TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”