Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

DREJTUES E PEDAGOGË TË UNIVERSITETIT “ST. CYRIL AND ST. METHODIUS” TË VELIKO TARNOVO-S, BULLGARI ZHVILLUAN NJË VIZITË ZYRTARE NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, NË KUADËR TË BASHKËPUNIMIT NDËRINSTITUCIONAL, DUKE IU BASHKUAR GRUPIT TË DOKTORANTËVE, TË CILËT DO TË QËNDROJNË PËR NJË JAVË NË UNIVERSITETIN TONË  

Në datën 21 shtator 2023, drejtues e pedagogë të Universitetit “St. Cyril and St. Methodius” të Veliko Tarnovo-s, Bullgari zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin “Fan S. Noli”, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional duke iu bashkuar grupit të doktorantëve, të cilët mbërritën dje në Univesitetin tonë.  

Ata u pritën në një takim të veçantë nga drejtues të UNIKO, ku rektori, prof. dr. Dhimitri Bello tha se kjo vizitë zyrtare bëhet në kuadër të ndërkombëtarizimit të institucioneve të Arsimit të Lartë. Ai shprehu besimin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nënvizoi se fokusi i këtij bashkëpunimi janë programet e përbashkëta të studimit, bashkëpunimin kërkimor-akademik, si dhe mobilitetet e stafit e studentëve që do të vitalizohen në kuadër të Qendrës Ballkanike, ku marrin pjesë 9 universitete rajonale dhe ku të dy universitet janë partnerë me të drejta të plota.

Edhe zëvendësrektori i Universitetit “St. Cyril and St. Methodius” i Veliko Tarnovo-s, Bullgari, prof. dr. Nikolay Kanev vlerësoi rëndësinë e këtij takimi në kuadër të bashkëpunimit midis dy universiteteve: “Ne jemi ndër universitetet më të mirë e më vjetër në Bullgari dhe kemi një traditë të hershme në studimet ballkanike prandaj dhe ka erdhur në mënyrë të natyrshme të kërkojmë bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” siç po ndodh aktualisht me doktorantët tanë që dëshirojnë të plotësojnë studimet e tyre në një kuadër edhe më të gjerë, në atë ballkanik duke hedhur baza të një bashkëpunimi më të ngushtë në një të ardhme të afërt, kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”.

Vizita e doktorantëve bullgarë vijoi në ditën e saj të dytë edhe me një leksion të hapur nga prof. Vladimir Vladov me teme: “Ndikimi Kulturor dhe Arsimor Greq te Shqiptarët dhe Bullgarët në shek. XVIII dhe XIX”.

Leave a Reply