Në datën 22 dhjetor 2021, zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili, së bashku me drejtues të Fakultetit të Ekonomisë, priti në një takim rektorin e Akademisë për Biznes në Hollandë, prof. Jan van Zwieten. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi për formimin e vazhduar, ku të pranishmit shprehën interesin e përbashkët në këtë drejtim. Zëvendësrektori Adili tha se Universiteti “Fan S. Noli” i ofron trajnimet në fushën e formimit të vazhduar për mësuesit në detyrë që prej vitit 2012, nëpërmjet QFV. Gjithashtu, ai nënvizoi se këto trajnime mund të zgjerohen edhe më tepër, duke përfshirë profesionistë të fushave e moshave të ndryshme, të cilët të kenë mundësi të certifikohen për profesionet e tyre. Të njëjtin mendim ndanë edhe përfaqësuesit e FE që gjithashtu dhanë ide konkrete për realizimin e këtij bashkëpunimi, hapësirat që mund të krijohen për përfshirjen e stafit akademik dhe studentëve, modulet që mund të ofrohen etj. Rektori i Akademisë për Biznes në Hollandë, prof. Zwieten, ndërsa solloi konceptin e tij për këtë bashkëpunim, siguroi se institucioni që ai drejton do të ofrojë mbështetjen e tij në këtë drejtim pasi ka një përvojë të gjatë në fushën e formimit të vazhduar. Pikërisht në këtë kuadër ai tha se mund të bashkëpunohet edhe për programe të përbashkëta të këtij tipi, si dhe të mund të krijohet një rrjet i universiteteve nëpërmjet të cilëve të ofrohen specializime të ndryshme.