Në datën 26 qershor 2020, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj. Sophia Philippidou shoqërur nga përfaqësues të kësaj ambasade, si dhe konsullja e përgjithshme e Greqisë në Korçë, znj. Magdalini Nicolau u pritën në një takim të veçantë nga autoritetet drejtuese të Universitetit të Korçës. Rektori, prof. dr. Ali Jashari, u uroi mirëseardhjen dhe bëri një prezantim të shkurtër të organizimit dhe të veprimtarisë që zhvillon Universiteti i Korçës. Më pas, zëvendësrektorja për kërkimin dhe shkencën, dr. Erinda Papa foli për bashkëpunimin dhe projektet që UNIKO ka me universitetet e Greqisë, veçanërisht me Universitetin Aristoteli të Selanikut dhe Universitetin e Maqedonisë Perëndimore. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të programit Erasmus + dhe në projekte të përbashkëta, siç është ngritja e një qendre të studimeve ballkanike në Universitetin e Korçës, për të cilën, Rektori vlerësoi mbështetjen e ofruar nga Universiteti Aristoteli dhe Konsullata e Përgjithshme Greke në Korçë.
Ambasadorja Philippidu falënderoi Rektorin dhe Zëvendësrektoren për pritjen, duke shprehur mbështetjen e saj për vazhdimësinë dhe realizimin e projekteve të nisuara midis Universitetit të Korçës dhe universitetetve greke. Në fund të takimit ajo vizitoi Bibliotekën Shkencore të vendosur në mjediset e Rektoratit.