Në datën 5 mars 2026 Universiteti “Fan S. Noli” mori pjesë me stendën e tij në panairin e Punës dhe Aftësive 2026 që u organizua në qytetin e Korçës.
Për maturantët e qarkut të Korçës që morën pjesë në këtë panair, krahas njohjes me ofertën akademike, mundësitë për mobilitete, kriteret për aplikim etj. u realizua edhe shpërndarja e broshurave në alfabetin Baille të hartuar në kuadër të projektit Hawking.
Ky panair krahas të tjerave bëri të mundur edhe njohjen e nxënësve dhe familjeve të tyre me vizionin e UNIKO për një arsim gjithëpërfshirës, ku çdo i ri ka mundësinë të informohet dhe të zgjedhë të ardhmen e tij akademike pa barriera.
Broshurat në alfabetin Braille, të projektuara enkas për nxënësit me vështirësi në të nxënë, ofrojnë informacion të plotë mbi programet e studimit dhe shërbimet mbështetëse të Universitetit, duke garantuar që materialet promovuese të UNIKO të jenë të aksesueshme për të gjithë.
Prania e Universitetit tonë në Work & Study me këto materiale të veçanta tregon se gjithëpërfshirja nuk është thjesht një parim teorik, por një praktikë konkrete që Universiteti ynë e zbaton çdo ditë.
Projekti Hawking vazhdon të hapë rrugë të reja drejt barazisë në arsim.











