Në datën 6 mars 2026 në Universiteti “Fan S. Noli” zhvilluan një vizitë Ambasadori i Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos dhe Këshilltari i Agrikulturës për Ballkanin Perëndimor, z. Michiel van Erkel.
Ata u pritën në një takim të veçantë nga drejtues të Universitetit dhe të Fakultetit të Bujqësisë, ku u diskutua mbi rolin e rëndësishëm që ka Universiteti në përgatitjen e specialistëve të aftë dhe në mbështetjen e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm përmes arsimit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit me partnerë vendas dhe të huaj.
Gjatë takimit rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi prezantoi prioritetet kryesore të zhvillimit të Universitetit “Fan S. Noli”, duke theksuar rolin e tij në mbështetjen e zhvillimit të rajonit. Në këtë kontekst, Rektori u ndal edhe në bashkëpunimim e UNIKO me aktorë të tjerë të përfshirë në projektin TOKA, i mbështetur nga AADF ku është partner edhe Universiteti Wageningen i Holandës, i njohur për ekspertizën dhe kontributin e tij në arsimin dhe kërkimin shkencor ndërkombëtar.
Vizita u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional edhe nga dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi, i cili bëri edhe një prezantim të veprimtarisë që zhvillon ky Fakultet.
Takimi vijoi me diskutime për angazhime konkrete siç është rasti i projektit TOKA, në zhvillimin e nismave të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.



















