Në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti “Fan S. Noli” ka me biznesin në rajonin e Korçës, 7 studentë të Fakultetit të Bujqësisë nënshkruan kontratat e praktikës së punës për një periudhë një-vjeçare.
Në takimin që zhvilloi me ta, dekani i FB, prof. as. dr. Gjergji Mero i përgëzoi për rezultatet e deritanishme në programet e studimit që ndjekin në këtë Fakultet, falë të cilave ata janë sot pjesë e kësaj praktike pune që do t`i pajisë me aftësi shumë të mira profesionale.
“Ka erdhur koha që njohuritë tuaja teorike t`i zbatoni në praktikë, gjë e cila do t`ju vlejë nesër për t`u përfshirë sa më shpejt dhe me aftësi të shkëlqyera profesionale në tregun e punës. Njëkohësisht, kjo praktikë pune që ju po kryeni sot do të jetë edhe një mbështetje e fortë për kërkimet tuaja shkencore në hartimin e tezave të diplomave në përfundim të studimeve”.
Studentët nga ana e tyre falënderuan Universitetin për këtë mundësi që iu dha pasi kjo praktikë pune do t’i ndihmojë për të parë nga afër se si mund të zbatohet “bujqësia e zgjuar” në ferma të ndryshme të prodhimit të frutave në rajonin e Korçës.
Kontratat u nënshkruan me mbështetjen e GOPA-AFC.GmbH (SRDII-GIZ).