Në datën 12 mars 2024 pedagogë të departamentit të Edukimit dhe të departamentit të Historisë dhe Gjeografisë ishin në mjediset e shkollës së mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës” në Hudenisht, Pogradec.
Ata u takuan me drejtues, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle, ku dhuruan disa materiale sportive e një fond librash për bibliotekën e shkollës në mbështetje të procesit mësimor.
Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit treguan interes të veçantë për programet e studimit që ofron Universiteti “Fan S. Noli”, duke e parë ofertën akademike të tij mjaft tërheqëse për studimet e tyre universitare në vijim.
Maturantët tashmë janë në një moment shumë të rëndësishëm për karrierën e tyre profesionale prandaj këtë takim ata e vlerësuan për të diskutuar për këtë qëllim.
Gjimnazistët e kësaj shkolle janë bërë pjesë e veprimtarive që organizon Universiteti ynë, siç është olimpiada “Rroke sportin”, ku u dalluan në disiplinën e minifutbollit.