Në datën 24 nëntor 2023, Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës dhe Bashkinë Korçë organizuan veprimtarinë e zhvilluar për të nderuar me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Kristo Floqin, personalitet i shquar, i cili i ka dhënë shumë politikës dhe letërsisë shqiptare. Si anëtar i një familjeje me vlera patriotike, Kristo Floqi i dha shumë kombit, politikës dhe letërsisë shqiptare, si avokat, gjykatës, nëpunës i lartë, deputet, ministër, botues dhe autor tragjedish e komedish.
Prof. as. dr. Jonela Spaho dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, përshëndeti ceremoninë në emër të Universiteti “Fan S. Noli”. Ajo vlerësoi kontributin e paçmuar të Floqit në lartësimin e historisë së kombit shqiptar, krijimtarinë e tij të pasur e të mirëpritur nga lexuesi dhe spektatori i kohës.
Jo vetëm vepra letrare, por dhe jeta e tij, parë në aspektet më të rëndësishme të saj, me kontributin që ai i dha çështjes kombëtare, me siguri do të zgjojë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve.
Familjarë, qytetarë e intelektualë të Korçës morën pjesë në këtë veprimatri që u shoqërua edhe me interpretimin e disa këngëve, tekstet e të cilave janë shkruar nga Kristo Floqi.