Përfaqësues nga universitetet publike dhe private në vend zhvilluan një takim me znj. Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, ku diskutuan rreth thirrjes së 8-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, aplikimet e të cilit do të hapen më 1 Qershor 2023.
Në fokus të bisedës ishte mënyra si funksionon programi, numri i pozicioneve të lira për praktikë si një mundësi për të gjithë të rinjtë nga 21 deri në 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”.
Sipas z. Romeo Terolli, specialist i Qendrës së Karrierës dhe Alumnit, Univesiteti “Fan S. Noli”, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, ndër të tjera u diskutua rreth ecurisë së takimeve që do të zhvillohen në universitet gjatë këtij muaji, për të informuar sa më shumë të rinj rreth programit.
Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.
Studentët e të rinjtë e rajonit të Korçës të interesuar për të marë pjesë në praktikat profesionale mund të kontaktojnë për më tepër informacion në adresën e emaili-it: qka@unkorce.edu.al ose klikoni në linkun https://praktika.riniafemijet.gov.al/