INSTITUTI I GJUHËSISË DHE I LETËRSISË PRANË AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE, NË BASHKËPUNIM ME FAKULTETIN E EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË TË UNIVERSITETIT TË KORÇËS, ORGANIZOJNË PROMOVIMIN E REVISTËS “STUDIME FILOLOGJIKE”, SI EDHE PARAQITJEN E VEPRAVE TË PËRGATITURA NGA PUNONJËSIT SHKENCORË TË IGJL

Në datën 31 maj 2022, në kuadër të realizimit të një prej përparësive më të rëndësishme të strategjisë së vet, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit dhe të Filologjisë të Universitetit “Fan S. Noli”, organizoi një veprimtari në të cilën u promovua revista “Studime filologjike”, si dhe u paraqitën veprat e përgatitura nga punonjësit shkencorë të këtij instituti.

Në fjalën e saj dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho theksoi se botimet që prezantohen në këtë veprimtari kanë një rëndësi të veçantë pasi ato janë fjala e fundit e shkencës albanologjikë në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë. Sipas saj, ky institut është në majë të studimeve albanologjike shqiptare dhe natyrisht, mendimi i tyre është shumë i rëndësishëm për ne si studiues dhe për studentët tanë, sepse informacioni shkencor që vjen në këtë veprimtari do të çelë hapësira të reja në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë për stafin akademik, por edhe për studentët tanë.

Veprimtarinë e përshëndeti edhe rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili ndër të tjera theksoi bashkëpunimin e hershëm midis Universitetit të Korçës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, bashkëpunim i cili është konkretizuar me organizimet e përbashkëta të konferencave, pasurimin e bibliotekës së Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe Bibliotekës Shkencore të universitetit me të gjitha botimet e tij dhe nga ana tjetër ka shërbyer si institucioni ku kanë marrë kualifikimet shkencore një pjesë e mirë e stafit akademik.

Drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, prof. dr. Artur Lama, mes të tjerash theksoi se kjo veprimtari synon që mëtimin dhe vizionin shkencor të botimeve të këtij instituti ta ndajë së bashku me mendime dhe kritikë shkencore objektive me universitetet, në mënyrë që lexuesi shkencor të njihet me rezultatet e kërkimeve të realizuara në grup në kuadër të projekteve të përbashkëta, me të rejat dhe rezultatet më të fundit të punës kërkimore rreth çështjeve shkencore aktuale, tezave e hipotezave etj. Më pas, ai bëri një pasqyrim të të detajuar rreth ecurisë së punës shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku u prezantuan botimet e fundit të këtij instituti dhe projektet e planifikuara për në vazhdim.

Zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Valter Memisha vlerësoi bashkëpunimin e dyanshëm e shumëdrejtimësh midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit “Fan S. Noli” , duke krijuar një traditë dhe përvojë të vyer e të suksesshme. Kjo veprimtari, sipas tij, çel udhëtimin promovues të botimeve të dy institucioneve tona dhe mendojmë se do të jetë një veprimtari e përvitshme dhe e institucionalizuar.

Sipas tij, nuk është rastësi që kjo paraqitje institucionale e botimeve të ASA-s zhvillohet në këtë universitet të njohur në mësimdhënien akademike e në organizimin e veprimtarive shkencore të nivelit të lartë, një universitet me një prestigj kombëtar, ballkanik, mbarëkombëtar e më gjerë. Vlerësime dhe falënderime për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në veçanti dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike në përgjithësi, shprehu edhe prof. dr. Ali Jashari, si studiues dhe ish-drejtues, por dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i këtij instituti prej vitesh.

Veprimtaria vijoi me promovimin e revistës shkencore “Studime filologjike”, numrat 1-2 dhe 3-4, 2019, të cilët u paraqitën nga prof. dr. Anila Omari dhe prof. as. dr. Evalda Paci.

Sipas studiueses Omari, numri 1-2 i vitit 2019 i revistës “Studime filologjike” u ka dhënë hapësirë artikujve që u lexuan fillimisht si kumtesa në gjuhën shqipe në konferencën shkencore me temë: “Kultura e hershme e shkrimit shqip (shek. XVI-XVIII) – në fokusin e filologjisë dhe të leksikografisë historike të kohës sonë”, mbajtur në 27 shtator 2019 në Buçimas të Pogradecit, me organizimin e përbashkët të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe të Institutit të Gjuhësisë së Krahasuar e Indoevropiane dhe të Albanologjisë në Universitetin e Mynihut. Të gjitha punimet u analizuan në mënyrë të hollësishme nga studiuesja Anila Omari, çka u prit me interes nga të pranishmit.

Prof. as. dr. Evalda Paci paraqiti numrin 3-4 të vitit 2019 të revistës “Studime filologjike”, i cili sipas studiueses Paci paraqitet me një korpus të kënaqshëm kontributesh nga disa fusha studimore të dijes së albanologjisë si: çështje të historisë së letërsisë së shkruar shqipe, dukuri të veçanta që kanë të bëjnë dhe me historinë e shkrimit të shqipes, vështrime të posaçme të krijimeve gjinore që përbëjnë aspekte të veçanta në kuadër të shkrimtarisë së autorëve të caktuar, trajtesa që thellohen në çështje të studimit të leksikut të shqipes, por dhe në analiza tiparesh të varianteve gjuhësore në lokalitete jashtë vendit. Edhe punimet e këtij numri u paraqitën me një analizë të detajuar nga studiuesja Evalda Paci dhe u pritën me interes nga të pranishmit.

Veprimtaria vazhdoi më tej me prezantimin e botimeve “Studime për fjalën shqipe 5-6” (përmbledhje artikujsh) nga prof. Valter Memisha, të cilat u paraqitën nga pedagogët e Universitetit të Korçës prof. dr. Ali Jashari dhe Lonora Hysolli. Në këtë prezantim u vunë në dukje trajtimet e thukëta analitike nga autori në lidhje me fjalën si njësi e leksikut dhe fjalën si njësi leksikografike; duke iu referuar gjuhës së disa personaliteteve të spikatura në kulturën tonë kombëtare dhe ndihmesës së disa personaliteteve të gjuhësisë për leksikografinë e gjuhës shqipe, si dhe trajtimi i disa dukurive gjuhësore me vlerë për t’u trajtuar më tej në fushën e kërkimeve gjuhësore shqiptare, kryesisht në fushën leksikore e semantike.

Vepra “Pasuri të ligjërimit shqip II” (Vështrime leksikore e sociolinguistike) nga prof. Artur Lama u paraqit nga pedagogët e Universitetit të Korçës, prof. as. dr. Anyla Saraçi dhe Olger Brame. Autorët theksuan risinë që sjell kjo vepër, me një lëndë vëllimore që me plot bindje mund të konsiderohet pasuri e ligjërimit shqip, lëndë e cila bëhet objekt studimi si i kritikut letrar e historianit të letërsisë, ashtu edhe i gjuhëtarit, për të dëshmuar pasurinë e fjalës shqipe, frazeologjisë popullore, apo aspekteve të etnosociolinguistikës. Në këtë prezantim u paraqit një analizë për të 4 pjesët e përmbledhjes në fjalë, duke nxjerrë në pah trajtesat mjaft të thukëta shkencore të autorit, përmasën ndërdisiplinore të studiuesit, këndvështrimet, analizat dhe vlerësimet e autorit mbi çështje të ligjërimit shqip etj. Në fund u theksua se analizat dhe refleksionet shkencore të autorit në këtë përmbledhje e bëjnë veprën një pasuri me vlerë për ligjërimin shqip, ku jo vetëm lexuesi i thjeshtë, por edhe studiuesi, reflekton dhe nxjerr në pah vlera të këtij ligjërimi.

Paraqitja e veprave “Fjalor i gjuhës shqipe” për grupmoshën nga 5 vjeç deri në 11 vjeç dhe “Fjalor i gjuhës shqipe i ilustruar” mbi 12 vjeç, me autorë prof. as. dr. Anila Kananaj dhe prof. dr. Shezai Rrokaj, u bë nga prof. dr. Valter Memisha i cili theksoi se përveç faktit se këta fjalorë përmbajnë mbi 16.000 fjalë, sjellin edhe një risi të fjalorëve shpjegues sepse përfshijnë mbi 1600 ilustrime me foto dhe vizatime origjinale me ngjyra, që pritet t’u shërbejnë nxënësve të shkollave 9-vjeçare. Këta fjalorë përfshijnë një korpus prej rreth 100 milion fjalëformash. E veçanta e tyre është se shpjegimet bëhen përmes perifrazimeve të thjeshta në përshtatje me zhvillimin gjuhësor dhe psikik të secilës grupmoshë.

Gjithashtu fjalorët kanë një numër fjalësh dhe shpjegimesh që nuk gjenden në fjalorët shpjegues të shqipes. Falënderime për prezantimin e fjalorëve shprehu edhe vetë autorja Anila Kananaj, e cila theksoi se është një vepër që synon të përdoret në mënyrë praktike nga prindërit, fëmijët por edhe të përdoren si materiale ndihmëse në institucionet arsimore.

Veprimtaria u mbyll me diskutime nga auditori dhe dhurime librash për bibliotekën e Universitetit të Korçës.

Previous Post
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” LIDHI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME INSTITUTIN E EDUKIMIT, TRASHËGIMISË DHE TURIZMIT
Next Post
“BUZËQESHJA JUAJ MISIONI YNË”-VEPRIMTARI ME RASTIN E 1 QERSHORIT NGA STUDENTË TË DEPARTAMENTIT TË EDUKIMIT ME FËMIJË TË SHKOLLAVE DHE KOPSHTEVE TË QYTETIT