Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“BUZËQESHJA JUAJ MISIONI YNË”-VEPRIMTARI ME RASTIN E 1 QERSHORIT NGA STUDENTË TË DEPARTAMENTIT TË EDUKIMIT ME FËMIJË TË SHKOLLAVE DHE KOPSHTEVE TË QYTETIT

Në datën 1 qershor 2022, studentët e programeve të studimit: “Mësuesi në Arsimin Fillor”, “Mësuesi në Arsimin Parashkollor” dhe “Edukim Fizik dhe Sporte” të departamentit të Edukimit me rastin e 1 Qershorit zhvilluan lojëra argëtuese dhe edukative më fëmijët e kopshteve dhe shkollave të qytetit të Korçës në mjediset e parkut “Rinia”. Kjo veprimtari ishte një nismë e studentëve të këtyre programeve që gjeti menjëherë mbështetjen e pedagogëve të këtij Departamenti. Qëllimi është promovimi i përvojave edukative nëpërmjet lojës. Fokusi i saj ishte jo vetëm argëtimi, por edhe nxitja e aftësive të ndryshme, duke iu referuar fushave të zhvillimit, të edukimit dhe të të nxënit. Gjatë veprimtarisë u shpërndanë materiale informuese për prindërit se si të ndërtojnë lojëra edukuese për një zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve të tyre. Studentët në këtë ditë zhvilluan me vogëlushët lojëra me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve sociale, menaxhimin e emocioneve dhe njohjen e rregullave siç ishte loja “Mos u nxeh”. Ndërsa për zhvillimin motorik dhe orientimin në hapësirë ndihmoi loja “Rrugëtimi me sfida”. Ngjyrat, vizatimet dhe shprehja e dëshirave ishin një tjetër lojë, e cila ofroi një tjetër kënd loje që ftoi fëmijët të shprehnin emocionet e tyre dhe të zhvillonin kreativitetin. E gjithë veprimtaria u shoqërua nga muzika dhe kërcimet, si një lojë psiko-motore dhe sociale. Studentët e titulluan këtë veprimtari “Buzëqeshja juaj misioni ynë!

Leave a Reply