UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ZHVILLOI CEREMONINË E ÇELJES SË VITIT AKADEMIK 2026–2026

Në datën 5 tetor 2026, Universiteti “Fan S. Noli” hapi dyert për një tjetër vit akademik, duke mirëpritur një komunitet të tërë universitar, të bashkuar nga dija, aspiratat dhe besimi në të ardhmen.
Në ceremoninë e çeljes së Vitit Akademik 2026–2027, rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, përshëndeti studentët, stafin dhe të gjithë pjesëmarrësit, mes të cilëve shumë miq e bashkëpunëtorë të UNIKO, duke shënuar nisjen e një viti të ri me sfida, mundësi dhe synime të reja.
Ndër të tjera ai theksoi: “Sot hapim një kapitull të ri në rrugëtimin tonë akademik. Universiteti nuk është vetëm vendi ku merret një diplomë, por hapësira ku mësojmë të mendojmë, të pyesim, të argumentojmë, të bashkëpunojmë dhe të marrim përgjegjësi. Të gjithë së bashku duhet t’i shfrytëzojmë vitet universitare jo vetëm për të përfunduar një program studimi, por për t’u përgatitur për tregun e punës dhe jetën profesionale. Universiteti “Fan S. Noli” mbështetet në një traditë të pasur, por e sheh të ardhmen përmes transformimit, cilësisë dhe ndërkombëtarizimit. Ky vit akademik shënon hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, me hapjen e programeve të reja të studimit, rritjen e ndjeshme të mobiliteteve të studentëve dhe stafit në universitetet evropiane dhe një numër rekord pedagogësh e studentësh të huaj që kanë zhvilluar mobilitete në universitetin tone”. Sa i takon projekteve Rektori nënvizoi se vijon projekti TOKA, i mbështetur nga AADF dhe i drejtuar nga Universiteti i Wageningen, si dhe projekti Sincere, ku UNIKO është koordinator, ndërsa janë në zhvillim edhe pesë projekte Erasmus. Në kuadër të projekteve kombëtare janë fituar pesë projekte READ dhe shtatë projekte të financuara nga AKKSHI, një prej të cilëve në fushën e infrastrukturës, si dhe shtatë projekte të mbështetura me fondet e universitetit. “Këto rezultate dëshmojnë se Universiteti “Fan S. Noli” po ndërton sot një universitet më modern, më të hapur, më ndërkombëtar dhe më të orientuar drejt kërkimit, inovacionit dhe nevojave të studentëve e të shoqërisë”.
Fillimin e vitit akademik e përshëndeti edhe prof. dr. Mauela Nevaci në emër të institucioneve partnere Akademia Rumune dhe Universiteti i Bukureshtit, Rumani; kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo; kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi; prefektja e Qarkut Korçë, znj. Florinda Zegullaj.
Njëkohësisht nderuan këtë ditë me praninë e tyre edhe Ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë, Sh. T. Z. Octavian Șerban; Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, dr. Asterios Bouzias, drejtorja e DRAP Korçë, znj. Vinjola Rota, përfaqësues të komuniteteve fetare, të institucioneve të tjera të qarkut, akademikë, pedagogë, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Suksese në vitin e ri akademik 2026–2027!
Postimi i Mëparshëm
U PREZANTUA PROJEKTI KËRKIMOR “RRJETËZIMI I STUDIMEVE KADAREANE NË HAPËSIRËN EVROPIANE TË KËRKIMIT”, I FINANCUAR NGA AGJENCIA KOMBËTARE E KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT NË KUADËR TË PKKZH 2026
Postimi Pasues
Thirrje për mobilitet studentësh_University of the Peloponnese, Greqi