Në datën 21 dhjetor 2022, Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi një takim të veçatë në të cilin u prezantua “Veprimtaria Vjetore e Sportit Universitar” për vitin 2022. Në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë ishin të pranishëm drejtues të Universitetit, pedagogë e studentë, si dhe prefekti i Qarkut, z. Nertil Jole. Takimin e përshëndeti fillimisht prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i FEF, e cila përgëzoi organizatorët dhe studentët pjesëmarrës në veprimtaritë e ndryshme sportive, në të cilat kanë bërë paraqitje mjaft dinjitoze, duke u vlerësuar edhe me çmime të vendeve të para e trofe. Gjithashtu, ajo vuri theksin edhe në rëndësinë që ka sporti për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut.
Më pas, takimin e përshëndeti prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, i cili falënderoi drejtuesit e Universitetit për punën e tyre në shfrytëzimin e mjedisit universitar, jo vetëm për qëllimin akademik, por edhe për krijimin e një fryme sportdashëse në mesin e të rinjve dhe ngritjen në një nivel akoma më të lartë të jetës sportive në një qytet sportdashës siç është Korça. Ai nënvizoi angazhimin dhe vëmendjen e institucionit të Prefektit të Qarkut, për t’i qëndruar gjithmonë pranë Universitetit “Fan S. Noli”, në veprimtaritë shkencore dhe sportive që realizon.
Zëvendësrektoi për mësimin, dr. Arto Adili themeluesi dhe drejtuesi i Shoqatës Sportive Universitare “Fan S. Noli” bëri më pas një prezantim të detajuartë pjesëmarrjeve të ekipeve të studentëve tanë në veprimtari e kompeticione të ndryshme, ku jo vetëm kanë përfaqësuar denjësisht Universitetin e Korçës, por kanë marë edhe vlerësime të larta në disiplina si futbolli, volejbolli, handbolil, tenisi, atletika, noti dhe shahu. Ai përgëzoi në veçanti edhe pedagogët e programit të studimit “Edukimit Fizik dhe Sporte” që kanë qenë të angazhuar me pasion në të gjitha këto veprimtari përtej rolit të tyre funksional.
Pedagogu dr. Eriseld Kalemaj u ndal në disa veprimtari të veçanta që lidhen me Hiking dhe angazhimin e studnetëve në të, ndërsa përgjegjësja e departamentit të Edukimit, dr. Albina Pajo, nënvizoi se ky angazhim dhe këto arritje na bëjnë krenarë, duke e ngritur edhe më lart emrin e këtij Universiteti.