Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“110 VJET NGA PAVARËSIA E SHQIPËRISË”-SEMINAR SHKENCOR NË KUADËR TË 110 VJETORIT TË PAVARËSISË SË VENDIT I ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I HISTORI-GJEOGRAFISË NË BASHKËPUNIM ME DEPARTAMENTIN E HISTORISË, UNIVERSITETI I PRISHTINËS

Në datën 25 nëntor 2022 në mjediset e bibliotekës “Kongresi i Manastirit” u zhvillua seminari shkencor: “110 vjet nga pavarësia e Shqipërisë” i organizuar nga departamenti i Historisë dhe i Gjeografisë, Universiteti “Fan S. Noli” dhe departamenti i Historisë, Universiteti i Prishtinës. Në fjalën hapjes përgjegjësi i Departamentit, phd. Metin Venxha falënderoi pjesëmarrësit pedagogë, studiues, studentë e ish-studentë të këtij departamenti, duke nënvizuar së ky seminar kujton sakrificën sublime të patriotëve shqiptarë gjatë rilindjes të cilët e çuan vendin drejt fitores së pavarësisë në nëtor të vitit 1912. Po gjatë këtij seminari ai prezantoi punimin “Kontributi i arbëreshëve në procesin e Rilindjes”. Takimin e përshëndetën edhe dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, e cila nënvizoi se periudha e Rilindjes është një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë, prandaj edhe kjo është një ditë në të cilën duhet të reflektojë brezi i ri dhe njëkohësisht e gjithë shoqëria. Ajo u bëri thirrje studentëve dhe të rinjve të kontribuojnë dhe t`i ndërtojnë fatet e veta në vendin e tyre në këtë vend, i cili aspiron që shumë shpejt të bëhet pjesë e familjes evropiane.  Më pas, zëvendësrektori për Kërkimin dhe Marrëdhëniet me Jashtë, dr. Benita Stavre përshëndeti pjesëmarrësit edhe në emër të rektorit, prof. dr. Dhimitri Bello. Duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit midis dy universiteteve, ajo falënderoi departamentin e Historisë dhe Universitetin e Prishtinës për mbështetjen e ofruar në çdo lloj veprimtarie që organizon Universiteti ynë.  Gjithashtu përgëzoi në mënyrë të veçantë departamentin e Historisë dhe të Gjeografisë edhe për një sërë veprimtarish që ka zhvilluar në këtë kuadër, duke përfshirë në to edhe nxënës të shkollave të arsimit parauniversitar me qëllim nxitjen e brezit të ri për të kuptuar domethënien e vërtetë të 28-Nëntorit.  

Takimi vijoi me përshëndetjen e përgjegjësit të Departamentit të Historisë, Universiteti i Prishtinës, dr. Mentor Hasani. Ai referoi më pas temën: “Përpjekjet për konsolidimin socio-ekonomik të shtetit shqiptar 1912-1939”. I pranishëm ishte edhe dr. Skënder Lutfiu, përfaqësues i Institutit të Historisë, Prishtinë, i cili gjithashtu përshëndeti seminarin dhe referoi temën:  “Përpjekjet e shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi në periudhën ndërmjet dy luftërave”. Pjesë e këtij seminari shkencor ishte edhe prezantimi i temës: “Zhvillimi i mendimit gjeografik në 110 vjet shtet”, nga dr. Ermiona Braholli.

Leave a Reply