Në datën 23 nëntor 2021, në mjediset e Fakultetit të Bujqësisë u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me temë “Implementimi i programit mësimor DUAL (mësim & praktikë profesionale) në “Menaxhim Agrobiznesi”, i cili aplikohet për herë të parë sipas modelit evropian. Në fjalën e hapjes dekani i FB, prof. as. dr. Gjergji Mero theksoi se kjo është një nismë e departamentit të Agrobiznesit, me prioritet ndërkombëtarizimin e kurrikulave, duke i përafruar ato me modelet më të mira të BE. Ai vuri në dukje se ndërthurrja e teorisë me praktikën mësimore, që aktualisht ëshët vënë në zbatim me studentët e vitit I në këtë department ka rezultuar të jetë nje model i suksesshëm në universitetet më të mira. Sipas tij qëllimi është që ky projekt të ketë vazhdimësi dhe pse jo të bëhet model edhe për programet e tjera te studimit. Nisma e ndërmarrë nga departamenti i Agrobiznesit është përkrahur edhe nga rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili përgëzoi Fakultetin e Bujqësisë, duke vënë në dukje se ky fakultet është ngritur mbi bazën e Institutit të Lartë Bujqësor që sivjet mbush 50 vite nga krijimi i tij: “Sot ndihet nevoja për ndërthurrjen e teorisë me praktikën dhe është mirë të provojmë. Vlerësoj praninë e aktorëve lokalë në këtë takim që mund të shërbejë edhe si ndërgjegjësim për maturantët e rajonit të Korçës që të zgjedhin programet e Universitetit “Fan S. Noli”. Shpreh bindjen se nisma për zbatimin e kurrikulës DUAL do të bëhet model edhe për programe të tjera”.
Më pas pedagogu, dr. Dorjan Marku prezantoi në mënyrë të detajuar zbatimin e këtij modeli në programin e studimit “Menaxhim Agrobiznesi”, duke theksuar se pika e fortë e tij është zhvillimi i praktikës profesionale për 10 muaj brenda ciklit të studimit “Bachelor” në biznese dhe institucione publike dhe private në nivel qëndror dhe lokal.
Nisma u përshëndet edhe nga të pranishmit. të cilët dhanë mendime dhe diskutuan në lidhje me atë se deri në çfarë mase programet e studimit në fushën e agrobiznesit, i përgjigjën kërkesave dhe nevojave të tregut të punës; çfarë rëndësie merr praktika profesionale në cilësinë e arsimit të lartë dhe sfidat e punësimit të të rinjve; mënyrat e bashkëpunimit midis sektorit privat/publik dhe Universitetit, për realizimin e praktikave mësimore-profesionale; cili është roli i institucioneve publike në nivel lokal dhe qëndror në inkurajimin e bashkëpunimit midis universitetit dhe bizneseve dhe cilat mund të jenë format e mbështetjes; a është modeli DUAL një model premtues për përmirësimin e aspekteve praktike të studentëve etj.
Ndërsa shprehu kënaqësinë për sa u arrit nga ky takim dhe duke i uruar suksese kësaj nisme profesor Gjergji Mero tha se në këtë kuadër do të ketë edhe mjaft takime e diskutime të tjera.
















