VEPRIMTARI TË ZHVILLUARA NË KUADËR TË PROJEKTIT ERASMUS+ CERAS

Në kuadër të projektit Capacity Building in Higher Education (CBHE) CERAS – “Advancing Circular Economy and Sustainability in Rural Business Activities Skills for the Future”, vijon zbatimi i veprimtarive, i cili synon të forcojë kapacitetet e bizneseve për të mbështetur tranzicionin drejt ekonomisë qarkulluese dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky projekt vjen si një konsorcium i përbashkët midis universiteteve ndërkombëtare dhe partnerëve nga sektori privat i disa vendeve evropiane, me qëllim zhvillimin e një platforme digjitale, e cila do të shërbejë si një sistem orientimi për ekonominë qarkulluese për bizneset, stafin akademik dhe studentët.

Gjatë periudhës Nëntor 2025 – Korrik 2026 u organizuan takime pune me partnerët e projektit dhe aktivitete informuese me bashkëpunëtorë, grupet e interesit dhe studentë, me qëllim prezantimin e objektivave të projektit, dhe shkëmbimin e ideve mbi sfidat dhe mundësitë e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme në sektorin agroushqimor shqiptar.

Objektivat dhe aktivitetet e projektit janë paraqitur edhe gjatë prezantimit të projekteve të tjera, ashtu sikundër është edhe projekti i financuar nga programi READ me titull “Digitalization for Agriculture”, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ekonomisë qarkulluese dhe për të forcuar bashkëpunimin me grupet e interesit.

Në muajt e parë të zbatimit të projektit, puna kryesore u përqëndrua në Paketa e Punës nr. 2 – Korniza e Ekonomisë Qarkulluese, e cila ka për qëllim zhvillimin e një kuadri të përbashkët metodologjik për vlerësimin e performancës së ekonomisë qarkulluese dhe qëndrueshmërisë në bizneset rurale.

Në këtë kuadër puna u fokusua në identifikimin, analizimin dhe vlerësimin e treguesve mjedisorë, ekonomikë dhe socialë që mund të përdoren për monitorimin e performancës së bizneseve rurale, si dhe në harmonizimin e tyre me metodologjinë e përbashkët të projektit.

Rezultatet do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e platformës dixhitale, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për bizneset, studentët dhe stafin akademik, me informacion të vlefshëm në lidhje me aspektet mjedisore, ekonomike dhe sociale, dhe njohjen me praktikat e ekonomisë qarkulluese.

Rezultatet do të integrohen në materiale mësimore dhe programe trajnimi për studentët, pedagogët dhe bizneset, duke kontribuar në përgatitjen e aftësive të nevojshme për tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.

Për Universitetin “Fan S. Noli”, pjesëmarrja në projektin CERAS përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të zhvilluar kërkimin shkencor të aplikuar dhe për të kontribuar në modernizimin e arsimit të lartë në përputhje me prioritetet e Bashkimit Evropian për ekonominë qarkulluese dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Më shumë informacion mbi projektin CERAS mund të gjeni në faqen zyrtare të projektit: https://ceras.ub.ro/

 

Postimi i Mëparshëm
KËRKIM, PËRVOJË DHE BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR: STUDENTËT NGA CIHEAM MONTPELLIER ZGJEDHIN TË ZHVILLOJNË PRAKTIKËN DHE PUNËN E TYRE KËRKIMORE NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”
Postimi Pasues
DHENIE ME QIRA MJEDISESH TE NDODHURA NE AMBJENTET E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” KORCE