Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIKO MORI PJESË NË WORKSHOPIN ONLINE: “TRASHËGIMIA KULTURORE DHE RRIGJALLËRIMI I SAJ”

Në datën 20 maj 2020, Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, IETT në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” dhe Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë organizuan workshopin online me temë “Trashëgimia kulturore dhe rigjallërimi i saj” me tri sesione. Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të dr. Alma Zhilla, pedagoge pranë Universitetit të Korçës, me temë: “Trashëgima kulturore pashaporta jonë drejt Evropës”. Ajo vuri në dukje atraksionet turistike të rajonit të Korçës si pjesë e trashëgimisë kulturore, si dhe sfidat me të cilat po përballen si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19. Më pas, znj. Anisa Hykaj, koordinatore për Trashëgiminë dhe Turizmin në IETT, foli për vizionin e Institutit, objektivat e tij dhe bashkëpunimin me institucione e individë që janë pjesë e projekteve në të mirë të komunitetit.

Znj. Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut të Artit Mesjetar dhe znj. Enis Gjançi, specialiste Arti dhe Guide pranë këtij muzeu, si pjesë e panelit prezantuan historikun e Muzeut të Artit Mesjetar, duke u ndalur në politikat dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë, veçanërisht me masat e marra në mbrojtje të vizitorit në kushtet e pandemisë.

Pjesë e takimit ishin dhe znj. Majlinda Laçaj, drejtore pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, prof. as. dr. Ledina Alolli, përgjegjëse e departamentit marketing-turizëm pranë UNIKO, pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, studentë etj. Ky workshop ndihmoi në njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë sonë kulturore për ruajtjen, promovimin dhe rigjallërimin e tyre.

Leave a Reply