Në datën 22 prill 2025 në mjediset e Rektoratit të Universitetit “Fan S. Noli” u çel ekspozita “Përtej së djeshmes” një projekt antropologjik nga Cătălin D. Constantin, organizuar nga Peter Pan ART, me mbështetjen e Institutit Kulturor Rumun dhe të Administrimit të Fondit Kulturor Kombëtar.
Të pranishmit në takimin e organizuar me këtë rast i përshëndeti rektori i UNIKO. prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili ndër të tjera theksoi: “Është një nder i veçantë për Universitetin “Fan S. Noli” që të jetë vendi pritës i kësaj ekspozite, një projekt kaq domethënës që i flet historisë, kujtesës dhe lidhjeve të thella kulturore në hapësirën ballkanike. Fakti që kjo ekspozitë ndalët pikërisht në Korçë në mjediset e Rektoratit është një vlerësim dhe konfirmim i rolit që Universiteti ynë ka fituar në nxitjen e dialogut kulturor dhe akademik në rajon”.
Vlerësimet e tyre për punën e bërë nga profesori dhe antropologu Cătălin D. Constantin, kanë shprehur edhe dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho; z. Costin Ionescu përfaqësues i Ambasadës së Rumanisë në Tiranë, si dhe koordinatorja e Qendrës Rumune të Informimit, phd. Daniela Carmen Stoica, organizatore e kësaj veprimtarie në UNIKO.
Profesori dhe antropologu Cătălin D. Constantin theksoi se në agimin e shekullit XX, dy vëllezër, Milton dhe Ianaki Manakia, u nisën nëpër Ballkan me një aparat fotografik për të dokumentuar jetën e njerëzve në fshatrat e përhapur në atë që atëherë ishte Perandoria Osmane. Sot, më shumë se një shekull më vonë, ekspozita “Përtej së djeshmes” e sjell atë udhëtim përsëri në fokus.
Nëpërmjet kërkimeve të mundimshme në arkiva, nëpërmjet punës në terren dhe rindërtimit vizual, projekti rishikon vendet e sakta të fotografuara dikur nga vëllezërit Manakia në rajonet e Epirit dhe Maqedonisë së Veriut. Rezultati është një dialog vizual me kalimin e kohës – me skena të rifotografuara nga të njëjtat kënde, ndonjëherë edhe në të njëjtat ditë kalendarike, si imazhet origjinale të Manakias të ruajtura në arkivat e Bukureshtit.
Ekspozita përfshin gjithashtu një fotografi mbrëslënëse të Voskopojës, dikur një qendër kryesore kulturore dhe tregtare e Ballkanit.
Dikur pjesë e peisazhit multikulturor, multietnik të dokumentuar nga vëllezërit Manakia, Korça qëndron sot si simbol, por edhe si skenë e këtij udhëtimi retrospektiv. Qyteti, me historinë e tij të shtresuar dhe jetën intelektuale të gjallë, ofron një vend të përshtatshëm për të reflektuar mbi identitetet në ndryshim dhe traditat e qëndrueshme të Ballkanit gjatë shekullit të kaluar.
Ekspozita nuk kërkon thjesht të përsërisë imazhet historike, por shtron pyetjen: “Sa ka ndryshuar Ballkani thellësisht në njëqind vjet?”
Ndërsa Constantini rivizitoi mbi 40 fshatra – nga Avdela dhe Metsovo në Vovousa, Pades dhe Magarevo – ai zbulon vazhdimësi aspekte të fshehura, ndryshime delikate dhe qëndrueshmëri të kujtesës në peisazhet e formuara nga migrimi dhe moderniteti.
Cătălin D. Constantin është antropolog, profesor në Universitetin e Bukureshtit i cili ka mbaruar dy doktoratura. Ai ka kuruar ekspozita në mbi njëzet vende dhe është vlerësuar me Medaljen e Nderit nga KulturForum Europa. Hulumtimi i tij ndërthur rrëfimin dhe etnografinë, duke u fokusuar në komunitetet vllahe dhe historitë më të gjera kulturore të Ballkanit dhe Kaukazit.
Pasi vizituan ekspozitën, studentë, pedagogë dhe të interesuartë tjerë u bënë pjesë e tryezës së rrumbullakët me temë “Udhëtim në kohë nëpër Ballkan”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e UNIKO deri në fund të muajit qershor 2025.