Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

STUDENTËT E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, PJESËMARRËS NË DEBATIN UNIVERSITAR NË NIVEL INSTITUCIONAL, TREGUAN PËRGATITJE TË SHKËLQYER, SERIOZITET DHE ETIKË NË KOMUNIKIM, DUKE MARRË EDHE VLERËSIME MAKSIMALE NGA JURIA

Në datën 10 mars 2022, Debati Universitar zhvilloi takimin në nivel institucional në Universitetin “Fan S. Noli” me pjesëmarrjen e studentëve Krenar Myrteza, Anisa Rapi, Xhimi Malkollari, Gloria Nure, Joana Katundi, Erjol Latollari, Xhesilda Benga dhe Vasil Ciko, të cilët debatuan rreth temës “Për të rritur produktivitetin biznesi shqiptar duhet të investojë në burime njerëzore dhe jo në teknologji”. Juria e debatit e përbërë nga zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, zëvendësdekani i FSHNH, phd. Jordan Jorgji dhe shkrimtari e pedagogu, dr. Eris Rusi bashkë me asistenten e projektit “Debati Universitar”, e cila e ndoqi atë online, znj. Marina Gjoka vlerësoi punën e studentëve të të dy skuadrave, të cilat sollën argumentet pro dhe kundër për temat e përcaktuara, duke i ilustruar edhe me shembuj konkretë. Në debatin e liderve tema ishte “Sistemi i prodhimit të energjisë elektrike duhet të decentralizohet në burime të vogla të rinovueshme”. Ky debat, siç u shpreh edhe juria në fund të tij, tregoi një përgatitje të shkëlqyer, seriozitetin dhe etikën e studentëve në komunikim, ku gjetën përdorim të mirë gjuha e trupit, si dhe oratoria në argumentimin e fakteve.

Pasi bëri një analizë të detajuar të të gjithë elementëve, dhe duke përgëzuar të dy skuadrat për zhvillimin e një debati shumë përmbajtësor, juria shpalli fituese njërën prej skuadrave, por që të gjithë studentët do të jenë pjesë e debateve të tjera që do të zhvillohen në fazën e ardhshme në nivel kombëtar, ku do të marrin pjesë 14 institucione, si dhe do të jenë përfitues të mundësive të tjera që do t`iu ofrohen në vazhdim nga SCiDEV. Këto debate u moderuan nga specialist i Qendrës së Karrierës dhe Alumnit pranë Universitetit “Fan S. Noli”, z. Romeo Terolli.

Leave a Reply