Në kuadër të praktikave të studentëve të programit të studimit “Edukim për Foshnjërinë dhe Fëmijërinë e Hershme” u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” një takim me znj Rudina Lako, këshilltare e kryetarit të Bashkisë Korçë për edukimin në moshë parashkollore. Qëllimi i këtij takimi ishte orientimi i studentëve për zhvillimin e këtyr praktikave në çerdhet e qytetit të Korçës në javët në vijim.
Këshilltarja Lako diskutoi me studentët aspekte të etikës së profesionit dhe vështirësitë e tij, mbi konceptimin e shërbimit për foshnjërinë e hershme, si dhe i orientoi ata mbi mënyrën se si janë të projektuara çerdhet në qytetin tonë.
Gjithashtu, u diskutua edhe në lidhje me rregulloret që po hartohen nga Bashkia Korçë për të rregulluar shërbimin e çerdheve dhe për mundësitë që këta studentë do të kenë nesër si profesionistë për t`u integruar në tregun e punës.
Në bashkëpunim me pedagogët e departamentit të Edukimi u diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunime të reja në lidhje me shtrirjen e shërbimit në çerdhe të tjera të bashkive fqinje, sikundër edhe në përhapjen e shërbimeve të tjera si shërbime për fëmijët dhe familjet.
Takimi rezultoi i suksesshëm, duke tërhequr interesin e studentëve, të cilët bënë edhe mjaft pyetje në lidhje me ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në qytetin e Korçës.







