Studentët e vitit III të programit të studimit Bachelor në “Edukim Fizik dhe Sporte” dhe studentë e vitit II të programit Master Profesional në “Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet” përfunduan me sukses praktikën mësimore si një nga hapat më të rëndësishëm të formimit të tyre si profesionistë të ardhshëm.
Gjatë këtyre praktikave ata patën mundësinë të bëhen pjesë e procesit mësimor në shkolla 9-vjeçare të qytetit të Korçës, duke vënë në zbatim njohuritë teorike të fituara në auditor.
Gjatë një muaji praktikë, e cila ishte pasive për studentë e programit Bachelor dhe aktive për studentët e programit Master, këta të fundit shprehen se përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë në orët e mësimit të edukimit fizik, u përballën me dinamikat reale të klasës, mësuan të planifikojnë dhe të udhëheqin aktivitete fizike, të motivojnë nxënësit dhe të ndërtojnë një klimë pozitive bashkëpunimi në mjedisin shkollor.
Kjo përvojë u ka shërbyer studentëve jo vetëm si praktikë profesionale, por edhe si nxitje për të ardhmen e tyre në arsim.









