Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

ROMANI “BIJAT E GJENERALIT” I SHKRIMTARES DHE PËRKTHYESES MIMOZA HYSA U PËRURUA NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” NË NJË VEPRIMTARI TË ZHVILLUAR NGA FEF NË BASHKËPUNIM ME KLUBIN E SHKRIMTARËVE “BOTA E RE” DHE RRJETIN E KRITIKËS LETRARE

Në datën 29 prill 2022 në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua një veprimtari për prezantimin e romanit “Bijat e Gjeneralit” të shkrimtares dhe përkthyeses Mimoza Hysa. Në këtë promovim të organizuar nga FEF në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Bota e re”, Korçë dhe Rrjetin e Kritikës Letrare ishte e pranishme edhe gazetarja e studiuesja Arta Marku, drejtues, pedagogë e studentë të këtij Fakulteti, nxënës të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, si dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e hapjes pedagogu, dr. Eris Rusi u shpreh se shkrimtarja Mimoza Hysa ka përkthyer autorë mjaft të njohur të letërsisë italiane. Ajo është fituese e disa çmimeve të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit, ku veçoi Çmimin e Madh të Përkthimit në vitin 2014 nga Ministria e Kulturës së Italisë. Më pas ai foli për romanin “Bijat e Gjeneralit” dhe kryesisht për ndërveprimin e dy motrave binjake si personazhet kryesore të tij. Një analizë të detajuar bëri për këtë botim edhe dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, e cila fillimisht e përgëzoi autoren për temën e gjetur, e cila vjen në një gjini jo të thjeshtë siç është romani. Ajo e vlerësoi njëkohësisht këtë veprimtari si mjaft të rëndësishme për studentët dhe maturantët e ftuar të cilëve u krijon mundësinë të njihen me autorë e vepra të mirëfillta të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Vlerësime për librin janë bërë edhe nga gazetarja Arta Marku, pedagogu, dr. Ilir Shyta, shkrimtarja Gerta Bandilli etj. Një hapësirë të veçantë në këtë takim autorja Hysa ua kushtoi studentëve, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me këtë roman psikologjik që sipas saj vjen në radhë të parë si një sfidë me veten dhe më pas shtjellon idenë nëpërmjet një stili bisedor. Leximi i disa fragmenteve të shkëputura nga libri përcolli mjaft emocion për të pranishmit.

Leave a Reply