Në datën 6 korrik 2023, drejtues të Universitetit “Fan S. Noli”, fakulteteve, të departamenteve dhe pedagogë mirëpritën në një bisedë të hapur në lidhje me ndërkombëtarizimin e fakulteteve dhe departamenteve, prof. Jean-Michel de Waelle nga Universiteti i Lirë i Brukselit.
Në përshëndetjen e tij rektori, prof. dr. Dhimitri Bello falënderoi prof. de Waelle për këtë takim, ndërsa theksoi se krahas ndërkombëtarizimit të programeve të studimit do të shihet edhe mundësia e bashkëpunimit me projekte konkrete.
Në fjalën e tij, prof. Jean-Michell de Waelle, studiues i shkencave politike, drejtues i mjaft projekteve kërkimore në shkallë Evropiane dhe njohës i mirë i vendeve të Evropës Lindore nënvizoi: “Ne mendojmë se bashkëpunimi me universitetet e rajoneve është i domosdoshëm dhe i dobishëm, për këtë arsye jemi edhe në Korçë. Aktualisht ka njëfarë bashkëpunimi në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, por mendoj se mundësitë janë shumë më të mëdha dhe unë jam shumë optimist për ta zgjeruar këtë bashkëpunim”.
Gjatë takim, ku ishin të pranishëm edhe profesorët Artan Fuga e Mark Marku, pjesëmarrësit dhanë mendime dhe ide konkrete për angazhimin dhe bashkëpunimin shkencor mes universiteteve të Evropës Lindore, Belgjikës dhe BE-së.