Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

ME RASTIN E 65- VJETORIT TË LINDJES DHE TË DALJES NË PENSION, PROF. AS. DR. GJERGJI PAPA U NDERUA ME CERTIFIKATËN E MIRËNJOHJES TË SHOQËRUAR ME EMBLEMËN E UNIVERSITETIT “FAN S.NOLI”

Në datën 2 tetor 2024 në mjediset e Fakultetit të Bujqësisë u zhvillua një veprimtari për vlerësimin e prof. as. dr. Gjergji Papa, përgjegjës i departamentit të Agroushqimit me certifikatë mirënjohjeje të shoqëruar edhe me Emblemën e Universitetit “Fan S. Noli”, me rastin e 65- vjetorit të lindjes dhe të daljes në pension.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë, prof. as. dr. Besnik Skënderasi, vlerësoi profesor Gjergji Papën për kontributin e tij si drejtues departamenti dhe për frymën e bashkëpunimit si koleg e pedagog.

Ai çmoi vlerat dhe meritat e tij të veçanta si njeri, si specialist bujqësie dhe si mësimdhënës: “Tek Gjergji janë gërshetuar më së miri shumë cilësi e virtyte, që e ngrejnë atë në lartësinë e një njeriu punëtor, të mirë e korrekt, kërkues i komunikueshëm, serioz dhe me kompetencë profesionale. Në këtë “maratonë” të karrierës së tij 42-vjeçare prof. Gjergji Papa ia doli me sukses të japë kontributin e tij modest dhe të ngrihet në lartësinë e një specialisti profesionist dhe të një lektori shumë të mirë”.  

Më pas, rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i dorëzoi atij certifikatën e mirënjohjes me këtë motivacion: “Për përkushtimin, profesionalizmin, pasionin në punë dhe ndërgjegjen e lartë që ka treguar për vite me radhë si pedagog dhe përgjegjës i departamentit të Agroushqimit në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit “Fan S. Noli”.  Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit e Universitetit, stafi akademik dhe studentët me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe të daljes në pension”.

Vlerësime për profesor Gjergjin, si koleg e mik i vyer, përcollën prof. as. dr. Gjergji Mero, prof. as. dr. Nikollaq Roshanji etj.

Prof. as. dr. Gjergji Papa falënderoi Rektorin dhe Dekanin e Fakultetit të Bujqësisë për këtë vlerësim, njëkohësisht dhe të gjithë kolegët e miqtë me të cilët ka bashkëpunuar për vite me radhë dhe që e nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë të veçantë për të.   

Leave a Reply