Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

KONSULLATA E PËRGJITHSHME E GREQISË NË KORÇË I DHUROI UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NJË SERI LIBRASH ME PËRMBAJTJE HISTORIKE ME TEMË FILHELENIZMIN GJATË PERIUDHËS SË REVOLUCIONIT GREK TË VITIT 1821

Në datën 18 mars 2022, Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Korçë i dhuroi Universitetit “Fan S. Noli” një seri librash me përmbajtje historike, me temë Filhelenizmin gjatë periudhës së Revolucionit Grek të vitit 1821. Dhurimi i është bërë zyrtarisht zëvendësrektorit për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre nga Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, znj. Magdalini Nicolaou gjatë një sesioni shkencor të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme Greke në Korçë, në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” me temë: “Filhelenizmi dhe Revolucioni Grek i vitit 1821”. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë me pjesëmarrjen e pedagogëve e studentëve të Universitetit, përfaqësuesve të Konsullatës Greke në Korçë, përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve fetare, si dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes zëvendësrektori, dr. Benita Stavre vlerësoi rëndësinë e dhurimit të këtyre librave për Universitetin, ndërsa përcolli njëkohësisht edhe përshëndetjen e rektorit, prof. dr. Dhimitri Bello: “Kam kënaqësinë të mirëpres ngjarjen e sotme, e cila sjell në Universitetin tonë aspekte të kulturës dhe jetës së përditshme të vendit tonë fqinj, përmes një serie librash të dhuruara nga Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Korçë për Bibliotekën e Universitetit tonë”.

Në fjalën e saj konsullja, znj. Magdalini Nicolaou ndër të tjera tha: “Me gëzim dhe emocione të veçanta ju drejtohem sot në këtë veprimtari të bukur, të cilën kemi kënaqësinë ta organizojmë së bashku me Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Dëshirojmë me këtë rast t’i dhurojmë Bibliotekës së Universitetit një seri librash të shkruara nga filhelenë të ndryshëm, gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë në kohën e zhvillimit të Revolucionit Grek të vitit 1821, por edhe më vonë. Lëvizja filhelene përbën një aspekt të rëndesishëm të Revolucionit Grek të vitit 1821, i cili, siç dihet, shënoi fillimin e krijimit të shtetit modern grek”. Gjithashtu ajo foli më pas për kontributin e spikatur të disa prej këtyre filhelenëve, duke theksuar në të njëjtën kohë se janë qindra e qindra të tjerë, të cilët lanë vendin dhe shtepitë e tyre për të marrë pjesë në luftën e popullit grek.

Gjithashtu, në këtë veprimtari një temë të veçantë solli për të pranishmit edhe zëvendësdekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, phd. Jordan Jorgji “Filhelenizmi në kontekstin e ngjarjeve të mëdha në Evropë dhe SHBA”, duke u ndalur në vlerat e iluminizmit, të cilat kanë edhe një rëndësi aktuale për shoqëritë demokratike të ditëve të sotme. Sipas tij, Filhelenizmi si koncept, por edhe si fenomen i vënë re gjerësisht në fillimet e shekullit të 18-të, ka të bëjë me ndihmesën morale, materiale dhe ushtarake në favor të luftës së grekëve për të patur kombin e tyre të pavarur e demokratik.

Leave a Reply