KËSHILLI STUDENTOR I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE ORGANIZATA RINORE “BALKAN YOUTH ACTIVISM”, BYA ZHVILLUAN NJË TAKIM INFORMUES ME STUDENTË TË UNIKO, KU U LIDHËN EDHE DY MEMORANDUME BASHKËPUNIMI

Në datën 18 shkurt 2025 Këshilli Studentor i Universitetit “Fan S. Noli” dhe organizata rinore “Balkan Youth Activism”, BYA zhvilluan një takim në mjediset e UNIKO, me qëllim njohjen e studentëve me mundësitë që kjo organizatë ofron për të rinjtë, si dhe nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit që kjo organizatë lidhi me Këshillin Studentor dhe me Universitetin “Fan S. Noli”.

Drejtori ekzekutiv i BYA, z. Gurali Haxhillari, i cili është edhe alumni i Universitetit tonë i njohu  studentët e pranishëm me mundësitë që ofron organizata. Ai tha se këto takime kanë për qëllim që të rinjtë të zbulojnë mundësitë që u ofrohen, të përfitojnë për një zhvillimin personal dhe profesional të tyre, si dhe ndihmojnë në formësimin e iniciativave rinore në rajon.

Takimin e përshëndeti në emër të rektorit të UNIKO, përgjegjës i Sektorit të Karrierës Studentore dhe Alumnit, dr. Romeo Terolli, i cili vlerësoi bashkëpunimin e alumnit të Universitetit me Këshillin Studentor, duke dëshmuar lidhjet e ngushta të ish-studentëve me Universitetin tonë.

Ai theksoi se angazhimi i të rinjve përmes aktivizmit është një nga çështjet më të rëndëssihme të ditëve të sotme. Në këtë kuadër, mbështetja e studentëve për t`u bërë pjesë e sa më shumë veprimtarive dhe shkëmbimeve kombëtare e ndërkombëtare mbetet një ndër objektivat kryesorë të këtij Sektori, ndërsa nënshkroi formalisht edhe memorandumin e bashkëpunimit të UNIKO me organizatën BYA.

Fjorela Bajraktari, presidente e Këshillit Studentor, UNIKO ftoi studentët të vlerësojnë dhe të përfitojnë nga këto mundësi që u ofrohen dhe më pas nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit të KS me “Balkan Youth Activism”.

Takimi vijoi me diskutime rreth veprimtarisë që zhvillon kjo organizatë, duke ndarë ide dhe mendime për bashkëpunimin në të ardhmen.

Postimi i Mëparshëm
Thirrje për pjesëmarrje në Konferencën e parë Ndërkombëtare në Shkenca Kompjuterike dhe në Teknologji Informacioni (CSIT 2025)
Postimi Pasues
NDËRKOMBËTARIZIMI- UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” BASHKORGANIZATOR I OLIMPIADËS XIX BALLKANIKE STUDENTORE TË MATEMATIKËS, E CILA DO TË ZHVILLOHET PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI