Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“FAMILJA MES VLERASH DHE SFIDASH” ISHTE TEMA E KONFERENCËS SË ORGANIZUAR NGA FEDERATA E PAQES UNIVERSALE NË BASHKËPUNIM ME FEDERATËN E FAMILJES DHE UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË FAMILJES

Në datën 30 maj 2023 u zhvillua konferenca “Familja mes vlerash dhe sfidash” e organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Federatën e Familjes dhe Universitetin “Fan S. Noli”, në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes.

Të pranishmit, përfaqësues të pushtetit vendor, personalitete të politikës, të fushës akademike, shoqërisë civile, drejtues të OJQ-ve, pedagogë, studentë etj. i përshëndeti fillimisht rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili ndër të tjera shprehu bindjen se kumtesat dhe mesazhet që do të përcillen nga kjo konferencë janë në mbështetje të vlerave të familjes dhe vlerave universale të paqes. Gjithashtu, punime të mbara i uroi konferencës edhe z. Gaqo Apostoli, Koordinator i Këshillave Shqiptarë të Paqes në Diasporë.

Më pas, z. Gani Rroshi, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale, Shqipëri mbajti kumtesën me temë: “Promovimi i kulturës që mbështet familjen dhe martesën”.

Pedagoget e Universitetit “Fan S. Noli”, dr. Mitjana Profiri dhe dr. Blerina Çeliku referuan temat: “Gruaja dhe familja në këndvështrimin e Julia Kristevës” dhe “Siguria kibernetike dhe familja”.

Konferenca vijoi punimet me një ese nga nxënësit e shkollës së mesme “Themistokli Gërmenji”, si dhe me kumtesën: “Komunikimi i infermierit me të moshuarin” të mbajtur nga znj. Delantina Mulla, Presidente e Urdhërit të Infermierit, Qarku Korçë.

Në fjalën e saj znj. Jorgjeta Babliku, Specialiste e Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional në ZVAP Korçë-Pustec dhe Kryetare e Këshillit Rajonal, Korçëu ndal në  temën: “Familja dhe shkolla, jeta dhe të mësuarit një harmoni e domosdoshme, pjesë  e përgjegjësive të përbashkëta”.

Prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole, ndërsa përshëndeti në këtë konferencë, theksoi nevojën që ka shoqëria jonë për të huazuar sa më shumë vlera e parime të funksionimit mes njëri-tjetrit, ashtu siç i kemi të brumosura në traditën e familjeve shqiptare, duke i reflektuar ato edhe më gjerë sesa familja, si në shkolla, institucione, organizata, parti politike, komunitet etj.

Një përshëndetje të veçantë bëri për të pranishmit, pedagogia e Fakultetit të Ekonomisë, dr. Aida Mosko me interpretimin në violonçel të një kolazhi muzikor nga vepra të autoreve shqiptarë dhe të huaj.

Në fund të konferencës u zhvillua ceremonia e emërimit të Ambasadorëve për Paqen, të cilët falënderuan Federatën për këtë vlerësim ndërsa u shprehën se do të jenë misionarë të paqes, duke kontribuar çdo ditë për të.

Leave a Reply