Në datën 20 tetor 2023 Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në kuadër të nismës “Kërkimi shkencor në letërsi” dhe të “Tetorit-si Muaji i Letërsisë” organizoi një veprimtari për promovimin e librit “Zambaku i Kanionit” me autore Eralda Baze drejtuese e botimeve “Schnell”, aktiviste në përçimin e vlerave të kulturës dhe traditës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Rektori, prof. dr. Dhimiri Bello përgëzoi Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë për këtë nismë dhe në veçanti për këtë organizim. Ai uroi autoren për romanin mjaft interesant dhe shprehu besimin se Eralda Baze premton shumë për të ardhmen si autore në letërsinë shqipe.
Prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i FEF e vlerësoi romanin “Zambaku i Kanionit” fillimisht sepse vjen nga një zë femëror, gjë për të cilën lerësia shqipe sot ka shumë nevojë dhe për mesazhet e fuqishme që ai përcjell: dhuna ndaj gruas dhe shkatërrimi i mjedisit ku ne banojmë. Me zërin e saj letrar e artistik autorja këmbëngul që shqetësimi i ngritur në roman të kthehet në shqetësim kolektiv, siç është dëmtimi i natyrës apo dhuna ndaj grave. Më pas, Dekania i dorëzoi autores Certifikatën e Vlerësimit me këtë motivacion: “Shkrimtares Eralda Baze, e cila me romanet “Dielli më perëndon në lindje” dhe “Zambaku i Kanionit” përcjell vlera të mirëfillta letrare dhe krijon ura afrimi të lexuesve të rinj me letërsinë”.
Vlerësime për librin dhanë në këtë promovim edhe redaktori i librit, pedagogu, dr. Eris Rusi, dr. Ilir Shyta, dekania e Fakulteitt të Ekonomisë, prof. as. dr. Ledina Alolli dhe të ftuar të tjerë, të cilët vunë në dukje mesazhet e fuqishme që ai përcjell në pasqyrimin e realitetit shqiptar.