Në datën 18 tetor 2024 u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” Konferenca Ndërkombëtare për Energjinë Diellore dhe Arsimin e Qëndrueshëm, organizuar nga Shoqata “Miqtë e Korçës” në partneritet me Universitetin “Fan S. Noli” dhe e mbështetur nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS),
Në këtë konferencë u bënë bashkë palët e interesuara nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian për të adresuar sfidat mjedisore si dekarbonizimi, ndotja e ajrit, shpyllëzimi dhe hendeku energjetik i rajonit.
Fokus ishte roli i energjisë diellore dhe integrimi i saj në sistemet arsimore për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.
Në hapje të punimeve të kësaj konference prof. as. dr. Ledina Alolli, dekane e Fakultetit Ekonomik theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Universitetit për energjinë e rinovueshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Më pas, fjalën e mori zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko, e cila përshëndeti pjesëmarrësit në emër të rektorit, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ndërsa theksoi se kjo konferencë bashkon individë që ndajnë qëllimin e përbashkët për të trajtuar sfidat urgjente mjedisore që përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të shqyrtojnë se si energjia diellore mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve kuptimplota.
Z. Gjergji Gjinko, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës “Miqtë e Korçës” u ndal në Shkollat Diellore për Energji dhe Iniciativa e Tranzicionit të Gjelbër, një nismë që synon të integrojë energjinë diellore në shkollat anembanë rajonit, duke promovuar zhvillimet në arsim dhe përdorimin e teknologjive të gjelbra.
Konferenca vijoi më pas me disa prezantime dhe studime të rasteve nga donatorët dhe organizatat partnere, të cilat sollën praktikat më të mira në adoptimin e energjisë diellore në institucionet arsimore, si zjn. Valbona Dedja (Fondi i Ballkanit Perëndimor), znj. Klaudja Zerva (KAS), z.Bledar Mankollari (DIHA), z. Srdjan Jovanovski (CSD Mali i Zi), z. Shuip Marku (CSCD Maqedoni e Veriut), z.Vladan Scekiç (EIC Serbia) etj.
Konferenca zhvilloi edhe një seancë të hapur diskutimi, ku përfaqësues nga këshillat bashkiakë, organizatat e biznesit, institucionet arsimore dhe akademikët ndanë pikëpamjet e tyre mbi adoptimin e energjisë diellore në rajon.
Në datën 9 tetor 2024 në takimin e organizuar në dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë, ku mori pjesë dhe zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko u prezantuan disa nga gjetjet e projektit “Vlera e praktikës si element i rëndësishëm që lidh studentët me tregun e punës”, projekt i fituar nga Fakulteti i Ekonomisë dhe i financuar nga të ardhurat e Universitetit “Fan S. Noli”.
Drejtuesja e projektit, prof. as. dr. Mirela Cini pas prezantimit të qëllimit dhe objektivave të projektit, paraqiti për pjesëmarrësit disa nga gjetjet e projektit.
Ky projekt ka për qëllim të eksplorojë vlerën e praktikës dhe të kuptojë se si studentët zhvillojnë aftësitë dhe vlerat si rezultat i përvojave të tyre praktike.
Rezultatet finale të projektit do të paraqiten në raportin përfundimtar të tij dhe do t’i shërbejnë përmirësimit të kurrikulës dhe lidhjes së studentëve me tregun e punës.
Në datën 7 tetor 2024 u zhvillua ceremonia tradicionale e fillimit të vitit të ri akademik 2024-2025 në Universitetin “Fan S. Noli”.
Pas nderimit të himnit tonë kombëtar, të pranishmit i përshëndeti rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi. Në fjalën e tij ai, ndër të tjera, theksoi: “Kjo ditë shënon fillimin e një rrugëtimi përgjatë të cilit do të punojmë bashkarisht për të përballuar sfidat dhe për të arritur sukses. Aktualisht dinamikat e ndryshimeve të përgjithshme, atyre në sektorin e arsimit, e veçanërsiht në arsimin e lartë, janë eksponenciale dhe ne nuk na mbetet tjetër veçse të ndërtojmë punën tonë në sinkron me to, duke synuar, në terma afatgjatë ta kthejmë universitetin në një qendër rajonale të ekselencës dhe të kërkimit shkencor. Të gjithë së bashku do të punojmë në drejtim të përmirësimit të ofertës akademike, rritjes së cilësisë së kërkimit shkencor, rritjes së angazhimit për aktivitete kërkimore dhe inovative në përputhje me objektivat e zhvillimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe jo vetëm”.
Suksese dhe urime përcollën në këtë fillimviti akademik për stafin dhe studentët edhe prefekti i Qarkut Korçë z. Nertil Jole, si dhe deputetet e Qarkut Korçë, znj. Enslemvera Zake dhe znj. Sorina Koti, të cilët theksuan mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Universitetin “Fan S. Noli”, institucioni më i rëndësishëm i Arsimit të Lartë në juglindje të vendit.
Një përshëndetje e veçantë erdhi në këtë ditë edhe nga miku e bashkëpuntori i hershëm i Universitetit tonë, albanologu i shquar rumun, profesor Nicolae Saramandu, “Doctor Honoris Causa” i Univeristetit “Fan S. Noli”. Ai përgëzoi Univeristetin për arritjet e deritanishme, ndërsa përcolli urimet më të mira për stafin dhe studentët në këtë vit të ri akademik.
Pas ceremonisë studentët u drejtuan në fakultete, ku u njohën me stafin akademik dhe u orientuan në auditorët ku do të zhvillojnë procesin mësimor.
I veçantë është ky fillim viti për studentët e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, të cilët do të zhvillojnë mësim në ndërtesën e saporikonstruktuar, në mjedise moderne e bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.
Në datën 4 tetor 2024 u zhvillua në Korçë takimi prezantues i raportit të ekspertëve për transformimin e Universitetit “Fan S. Noli” në një qendër rajonale të ekselencës dhe të kërkimit shkencor.
Në takim ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, drejtuesit e stafi akademik i UNIKO, përfaqësues të pushteti vendor, deputeti i Qakut Korçë, z. Niko Peleshi, përfaqësues të institucioneve vendore etj.
Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi theksoi: “Në këtë dokument bëhet një skanim dhe analizë e situatës aktuale të Universitetit në lidhje me ofertën akademike, punën kërkimore-shkencore dhe bazuar te rezultatet e kësaj analize, tek objektivat e zhvillimit të arsimit ë lartë në Shqipëri dhe jo vetëm, te sfidat për përmbushjen e tyre, raporti siguron një dokument bazë për hartimin e strategjisë së transformimit të fakulteteve dhe të Universitetit në përgjithësi. Për më tepër ky dokument është një plan i përgjithshëm strategjik, i cili na ndihmon të përqëndrohemi te një vizion i qartë dhe të projektojmë saktë se ku duhet të jetë UNIKO në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”.
Pas prezantimit të raportit nga ekspertët e programit “Research Expertise” Diaspora Akademike, READ: phd. Dritan Agalliu nga Universiteti Columbia; prof. as. dr. Mirjeta Beqiri nga Universiteti Gonzaga dhe ekspertja e statistikave, phd. Lantona Sado, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu nënvizoi se qëllimi është për ta kthyer këtë universitet në qendër rajonale të ekselencës dhe të kërkimit shkencor, që do të shërbejë si model edhe për profilizimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve të tjera rajonale.
Në takim dhanë mendimet e tyre për transformimin e UNIKO deputeti i qarkut z. Niko Peleshi, përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, znj. Jonida Lamaj, administratore e programit për Arsimin dhe Lidershipin dhe z. Enrik Keco, koordinator i programit READ.
Projekti për vlerësimin dhe zhvillimin e Universitetit “Fan S. Noli” është kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe është financuar dhe zhvilluar nga AADF.
Në datën 2 shtator 2024 rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi zhvilloi takime me drejtuesit e zgjedhur të fakulteteve, departamenteve dhe stafet e tyre.
Në këto takime Rektori emëroi para stafit akademik dhe administrativ të çdo fakulteti dekanët e zgjedhur:
Prof. as. dr. Besnik Skëndersai, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë,
Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë,
Prof. as. dr. Ledina Alolli, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë,
Prof. as. dr. Rafail Prodani, Dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane.
Në datat 10-11 korrik 2024 studentë të programeve të studimit profesionale 2-vjeçare, “Bachelor” dhe të programeve “Master” zhvilluan mbrojtjen e tezës së diplomës dhe provimin e formimit në të katër fakultetet e Universitetit “Fan S. Noli”.
Në datën 7 qershor 2024 departamenti “Marketing-Turizëm” zhvilloi tryezën e rrumbullakët me temë: “Impakti i Dixhitalizimit në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Rajonit të Korçës”.
Të pranishëm në këtë tryezë janë pedagogë, studentë, përfaqësues të bizneseve që kanë lidhje me turizmin dhe marketingun digjital, si dhe kryetari i Këshillit të Qarut, Korçë z. Erjon Nexhipi.
Takimin e përshëndeti fillimisht prof. as. dr. Ledina Alolli, e cila theksoi se kjo tryezë diskutimi ka një rëndësi të veçantë për vet rolin thelbësor që ka marë turizmi kohët e fundit në zhvillimin ekonomik e kulturor të rajonit të Korçës. “Si një rajon i pasur me bukuri natyrore, tradita të mrekullueshme dhe histori të pasur është detyra jonë të promovojmë dhe të zhvollojmë potencialin e tij turistik”.
Ajo gjithashtu shprehu bindjen se diskutimet e kësaj tryeze do të sjellin strategji dhe ide të reja për një zhvillim të qëndrueshëm dhe efektiv të turizmit në këtë zonë të mrekullueshme të Shqipërisë.
Pedagogia e këtij Departamenti, prof. as. dr. Esmeralda Shkira paraqiti fillimisht trended e industrisë, mikpritjes dhe turizmit, digjitalizimin dhe qëndrueshmërinë, ndërkohë që më pas biseda u fokusua në raste konkrete të ecurisë së bizneseve turistike në rajonin tonë, në problematikat e hasura, duke dhënë edhe mendime e ide se si mund të bashkëpunojë Universiteti e konkretisht FE në përgatitjen sa më efektive të studentëve tanë që studiojnë kryesisht në fushën e turizmit e marketingut.
Gjatë takimit studente të këtij programi studimit prezantuan sisteme rezervimi, si: Rate Haëk, Ask2 Travel apo Gassi Holidays, që u vijnë në ndihmë bizneseve turistike në Rajonin e Korçës.
Në datën 5 qershor 2024 studentë të programit të studimit “Menaxhim në turizëm dhe mikpritje” dhe pedagogë të departamentit “Marketing-Turizëm” zhvilluan veprimtarinë me temë “Shigjetimi i shtegut turistik”.
Qëllimi ishte të shigjetonin nëpërmjet shenjave orientuese një shteg prej 4 km nga fshati Voskopojë drejt kishës së Shën Kostandinit dhe Shën Elenës me qëllim lehtësimin e levizjes të turistëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj që e frekuentojnë këtë zonë mjaft atraktive të rajonit të Korçës.
Në këtë organizim kanë ofruar bashkëpunimin e tyre edhe punonjës të zonës administrative Voskopojë.
Në datën 21 maj 2024 Fakultetei i Ekonomisë dhe Bashkia Korçë organizuan Ditën e Hapur me temë: “Marketingu Dixhital” me pjesëmarrjen e studentëve të programeve të studimit: “Administrim Biznesi në Marketing”; “Informatikë Biznesi” dhe “Marketingu Dixhital”. Ndërsa iu drejtuan studentëve, Joan Deli Këshilltar për Rininë pranë Bashkisë Korçë dhe dekania e FE, prof. as. dr. Ledina Alolli i inkurajuan ata të bëhen pjesë aktive e këtij takimi për të marë një informacion më të detajuar në lidhje me marketingun dixhital, si një prej profesioneve më të kërkuarve sot në tregun e punës online.
Mentorja Eljona Kosta eksperte e njohur e marketingut digjital në Shqipëri, bashkëbisedoi me studentët se si ata mund të zhvillojnë aftësitë e tyre në këtë fushë, duke u vetpërfshirë në botën e marketingut online.
Ajo ndau me ta edhe përvojën dhe filozofinë e saj në fushën e marketingut dixhital.
Nga data 14-17 maj 2024 Universiteti “Fan S. Noli” Organizoi Javën Studentore: “Learners Today, Inspires Tomorrow”
Veprimtaritë filluan në datën 14 maj 2024 me Panairin “Inspire. Educate, Innovate”, në të cilin morën pjesë institucionet e pushtetit vendor, si dhe biznese që operojnë në rajonin e Korçës.
Në fjalën përshëndetëse prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet falënderoi pjesëmarrësit në panair, duke vënë theksin në këtë organizim të ndërmarrë nga UNIKO, pjesë e të cilit do të jenë takime të hapura të studentëve me Alumnit e Universitetit, me drejtues biznesi, aktorë lokalë e individë të angazhuar në komunitetin lokal, leksione të hapura; promovime e takime me studentë pjesëmarrës në programet Erasmus+, promovime të rasteve të suksesit të mobiliteteve; si dhe veprimtari shoqërore dhe sportive.
Në ditën e çeljes së veprimtarive të Javës Studentore përshëndetën edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, dr. Erjon Nexhipi, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, si dhe përfaqësuesja e Bashkisë Korçë, znj. Aida Kristo, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij organizimi për studentët, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Universitetin “Fan S. Noli”.
Gjatë panairit studentët u njohën me veprimtarinë që zhvillojnë kryesisht institucionet e pushtetit vendor, si dhe disa nga bizneset që operojnë në rajonin e Korçës, si dhe me mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale e punësim.
Më pas, në fakultete vijuan takimet me përfaqësues të Alumnit të Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët sot sjellin përvojat e tyre të suksesit si drejtues të institucioneve apo bizneseve të ndryshme.
Java Studentore vijoi më pas me vizitën që studentët e programeve të studimit “Arsim Fillor” dhe “Arsim Parashkollor”, viti I të shoqëruar edhe nga pedagogë të departamentit të Edukimit zhvilluan në Shkollën Speciale Korçë.
Ata u njohën atje me veprimtarinë dhe shërbimet që ofron kjo shkollë si një aset i rëndësishëm në zonën e Korçës në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës.
Studentët bënë dhe pyetje në lidhje me mënyrën se si kjo shkollë kontribuon në praktikat gjithëpërfshirëse të fëmijëve që e frekuentojnë atë.
Ndërkohë, në kuadër të veprimtarive sportive të kësaj jave studentët të ndarë sipas fakulteteve zhvilluan ndeshje në disiplinat e volejbollit, basketbollit etj.
Gjithashtu, me studentët u zhvillua edhe një takim, ku të ftuara ishin znj. Aida Kristo, përgjegjëse e Sektorit të Integrimit Evropian në Bashkinë Korçë dhe znj. Mariela Aliçkolli këshilltare për projektet e BE-së në Këshillin e Qarkut Korçë. Ato diskutuan me studentët në lidhje me aderimin e Shqipërisë në BE, statusin aktual, si dhe në lidhje me Fondet e Bashkimit Europian dhe integrimi që bën Këshilli i Qarkut Korçë për investimin në komunitet.
Veprimtaritë e kësaj jave u pasuan me dhurimin vullnetar të gjakut, ku studentët dhe stafi dhuruan gjak me moton:’ “Kush dhuron gjak shpëton jetë”.
Është për të vlerësuar fakti se bashkëpunimi i UNIKO me Degën e Kryqit të Kuq, Korçë vijon prej më tepër se 10 vjetësh, ku studentët, por edhe stafi janë bërë pjesë e fushatave ndërgjegjësuese për dhurimin vullnetar të gjakut.
Java Studentore u përmbyll me organizimin e dy konferencave studentore:
Konferenca Studentore Multidisiplinore “Perspektiva inovatore për edukimin dhe teknologjinë” në të cilën marrin pjesë 23 studentë me 19 punime.
“Konferenca IV studentore e organizuar nga departamenti i “Menaxhimit” dhe departamenti i Informatikës: “Transformimi Digjital në kohën e sfidave”, e cila vjen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë të Informacionit. Në të marrin pjesë rreth 40 studentë me 23 punime që prezantojnë në auditor dhe online. Këtë vit kjo konferencë ka temën: “Inovacioni Digjital për Zhvillimin e Qëndrueshëm” dhe vjen në bashkëorganizim me Albanian University, Kolegji Beder, Kolegji Universitar për Biznes dh Teknolgj, Prishtine dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë.
Punime të mbara uroi për të dy konferencat zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre, e cila njëkohësisht përgëzoi organizatorët dhe vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve në to për të paraqitur punime e tyre, duke promovuar vlerat dhe aftësitë kërkimore.