AKKSHI/ Thirrje për aplikim për projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor (PIKSH) për vitin 2021
Drejtues i projektit: Dr. Arto Adili
Rektorati/ Biblioteka Shkencore
Kohëzgjatja e projektit: 12 muaj
Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës në funksion të kërkimit shkencor, konkretisht për digjitalizimin e fondit të Bibliotekës së Universitetit, përkatësisht një bibliotekë shkencore dhe 4 biblioteka të fakulteteve-Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, Fakultetit të Ekonomisë, Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Fakultetit të Bujqësisë, duke krijuar fillimisht skedarët elektronikë, duke krijuar një motor kërkimi të digjitalizuar për fondin, e më pas duke digjitalizuar materialin e plotë hardcopy.
Kjo infrastrukturë do të vihet në dispozicion të kërkuesve dhe studentëve duke lehtësuar punët e tyre në kërkimet shkencore, e veçanërisht për studimet e tyre doktorale, punimet e diplomës, kërkim të thelluar në kuadër të promovimit të titujve dhe gradave, etj. Për të realizuar digjitalizimin e fondit të bibliotekës do të krijohet një platformë e brendshme e bibliotekës. Synimi është që prirja e përgjithshme drejt digjitalizimit të sistemeve arsimore nëpërmjet Bibliotekës Digjitale të mundësojë:
- sigurimin e një ndërfaqeje miqësore për përdoruesit;
- përftimin e lehtësirave që ofron rrjeti nga përdoruesi;
- mbështetjen e funksioneve të bibliotekës duke i lehtësuar ato si për përdoruesit edhe për stafin që punon në to;
- ndihmesën në rritjen e kërkimit të avancuar, aksesin dhe marrjen e informacionit;
- përmirësimin e veprimtaritë e bibliotekës duke u mundësuar kërkuesve të kryejnë kërkime që nuk janë praktike manualisht;
- mbrojtjen e të dhënave në një mënyrë më të sigurt përmes digjitalizmit të dorëshkrimeve dhe materialeve unike.
Në këtë drejtim, UNIKO, duke e konsideruar bibliotekën elektronike edhe si një vlerë të shtuar për institucionin, ndjen nevojën që të përmirësojë dhe të modernizojë infrastrukturën kërkimore për studiuesit (staf dhe lexues të specializuar) si edhe studentët duke e parë këtë si domosdoshmëri për të lehtësuar mundësitë e tyre për kërkim dhe si një formë nxitjeje për më tepër iniciativa të reja në kërkim shkencor. Kjo do të ndihmojë veçanërisht pedagogët që janë në procesin e kryerjes së studimeve të tyre doktorale, të cilët do të ndihmohen nga platforma e bibliotekës shkencore për studimet e tyre. Projekti synon edhe dixhitimin e “Fondit Nolian”, i cili është pjesë e bibliotekës shkencore të Universitetit. Ky fond iu dhurua para pesë vitesh Universitetit “Fan S. Noli” nga Prof. Nasho Jorgaqi dhe qëllimi ynë është skanimi dhe skedimi i këtij fondi unik deri më tani në dispozicion vetëm të Universitetit “Fan S. Noli”, në mënyrë që t’u vihet lehtësisht në dispozicion të gjithë përdoruesve të interesuar.
Përveç kësaj, Universiteti “Fan S. Noli” duke vlerësuar partnerët e tij dhe bashkëpunimet ose aktivitetet e mira bashkëpunuese që ka pasur gjithmonë me partnerët, synon që bibliotekën e digjitalizuar të Universitetit ta vendosë në dispozicion edhe të të gjitha universiteteve në Shqipëri dhe Kosovë me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që edhe stafi akademik dhe studentët e universiteteve të tjera të kenë mundësinë të përdorin fondin e kësaj biblioteke në ndihmë të studimeve të tyre kërkimore.
Universiteti “Fan S. Noli” parashikon edhe dhënien e aksesit, përmes një account-i edhe Bibliotekës së Qytetit “Thimi Mitko”, duke vlerësuar edhe marrëveshjen e bashkëpunimit që ka nënshkruar me këtë të fundit, si dhe ish-studentëve të saj, pjesë e trajnimeve të strukturave të të nxënit gjatë gjithë jetës.
Qëllimi dhe objektivat e projektit
Projekti ka për qëllim kryesor digjitalizimin e fondit të Bibliotekës së Universitetit “Fan S. Noli”, nëpërmjet krijimit të një platforme skedarizimi, kërkimi dhe skanimi të materialeve që disponon kjo bibliotekë.
Objektivat e projektit
- Krijimi i fondit elektronik të bibliotekës së universitetit;
- Skedarizimi dhe krijimi i një motori praktik kërkimi;
- Ruajta e kopjeve unike të fondit të Bibliotekës në përgjithësi dhe kopjet unike të Fondit Nolian, në veçanti;
- Përditësimi i mjeteve të teknologjisë së informacionit në të mirë të kërkimit shkencor;
- Rritja e aksesit të lexuesve të specializuar në fondin aktual të bibliotekës;
- Konkretizimi i bashkëpunimit mes UNIKO dhe IAL të tjera në rang mbarëkombëtar dhe rritja e bashkëpunimit me Bibliotkën “Thimi Mitko”, Korçë.
- Vënia e fondit të Bibliotëkës në dispozicion të alumni dhe përmirësimi i shërbimeve të formimit të vazhduar në UNIKO.