Në datën 2 qershor 2026 në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët e Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët përmbyllën me sukses projektin pilot ndërkombëtar “Democracy Discourse Index (DDI)”, realizuar gjatë periudhës shkurt–maj 2026.
Takimin e hapi koordinatorja e projektit për UNIKO, dr. Juliana Çyfeku, e cila vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e studentëve gjatë procesit kërkimor, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në nisma që promovojnë demokracinë digjitale, integritetin e informacionit dhe luftën kundër dezinformimit.
Projekti u zhvillua në bashkëpunim me Global Centre for Rehumanising Democracy (GCRD) në Londër, nën drejtimin e dr. Jacob Udo-Udo Jacob, Founding Executive Director i GCRD dhe ekspert në fushën e dezinformimit dhe integritetit të informacionit dhe Sensika Techologies me qendër në Universitetin Amerikan në Bullgari.
Në përshëndetjen e tij, rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi e vlerësoi këtë projekt pilot një shembull të shkëlqyer se si studentët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në kërkimin shkencor bashkëkohor. “Gjatë dy viteve të fundit, Universiteti ynë ka hyrë në një proces të thellë të transformimit institucional. Nga një universitet i fokusuar kryesisht në mësimdhënie po ndërtojmë modelin e një universiteti modern evropian, ku ndërthuren në mënyrë harmonike mësimdhënia, kërimi shkencor dhe shërbimi ndaj komunitetit, në funksion të zhvillimit të rajonit të Korçës, të integrimit evropian dhe të prioriteteve kombëtare. Një ndër prioritetet e këtij transformimi është digjitalizimi dhe integrimi i inteligjencës artificiale në proceset akademike dhe kërkimore. Po aq i rëndësishëm mbetet edhe angazhimi aktiv i studentëve në të githa dimensionet e jetës universitare”.
Studentët pjesëmarrës në këtë projekt i përgëzoi edhe prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i FEF, e cila ndër të tjera u shpreh “Si Fakultet e konsiderojmë angazhimin e studentëve në projekte si një nga shtyllat kryesore të edukimit universitar. Çdo projekt i realizuar nga studentët tanë është një dëshmi e potencialit të tyre krijues, e aftësive të tyre intelektuale dhe e dëshirës për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve shoqërore”.
Gjatë projektit, studentët u angazhuan në mbledhjen, analizën dhe interpretimin e të dhënave nga mediat dhe narrativat digjitale, si dhe në hartimin e raporteve analitike mbi trendet e diskursit publik, dezinformimin dhe transparencën informative. Nëpërmjet këtij angazhimi, ata zhvilluan aftësi kërkimore dhe kompetenca të avancuara në analizën kritike të informacionit.
Një nga vlerat më të rëndësishme të projektit ishte dimensioni i tij ndërkombëtar. Studentët e UNIKO përfaqësuan Shqipërinë në rrjetet akademike ndërkombëtare të kërkuesve të rinj, duke bashkëpunuar me pjesëmarrës nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pakistani dhe Nigeria. Kjo përvojë u mundësoi atyre shkëmbimin e njohurive dhe praktikave kërkimore në një mjedis multikulturor.
Ceremonia ishte një moment vlerësimi për kontributin e studentëve dhe stafit akademik të përfshirë në projekt, duke dëshmuar angazhimin e Universitetit “Fan S. Noli” për promovimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe fuqizimin e rolit të studentëve në projekte me ndikim global.
Urime dhe përgëzime studentëve: Amagda Kambo, Orsula Tako, Redina Skënderi, Glejana Malësija, Elena Llapanji, Irina Bicka, Oresta Leka, Adela Mustafa, Isuida Bushi, Ediona Nurçe, Ina Bala, Erika Lubonja, Joana Dudo, Sabrina Kula dhe Megi Bregu.
Mbështetja akademike dhe mentorimi u realizuan nga dr. Juliana Çyfeku, dr. Edlira Xega dhe MSc. Viola Dolani, të cilat udhëhoqën dhe mbikëqyrën procesin kërkimor gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit.






























