Në datën 6 tetor 2025 u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” ceremonia zyrtare e diplomimit të studentëve, “Dita Akademike 2025”.
Për vitin akademik 2024-2025 u diplomuan 773 studentë, prej të cilëve 60 në programet e Fakultetit të Bujqësisë, 217 në programet e Fakultetit të Ekonomisë, 184 në programet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe 312 në programet e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane.
Në këtë ceremoni u nderuan me “Medalje të Artë” 2 studente, 10 studentë u vlerësuan si “Studentë të Shkëlqyer” dhe me rezultate të larta, ndërsa mbi 160 studentë të tjerë shënuan emrat e tyre në Librin e Nderit të Universitetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndërsa uroi të gjithë studentët diplomantë u shpreh: “Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë, ku kremtojmë përmbylljen me sukses të një etape të rëndësishme në jetën tuaj akademike dhe personale. Ju shpreh urimet më të përzemërta të gjithë të diplomuarve për vitin akademik 2024-2025.
Pavarësisht nga drejtimi që keni ndjekur, si: bujqësi, ekonomi, edukim e filozofi, apo shkenca natyrore dhe humane keni zgjedhur të angazhoheni në disiplina themelore, të cilat luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe përparimin e dijes. Fushat tuaja nuk janë thjesht drejtime studimi, por janë hapësira të thella kërkimi, ndikimi dhe kontributi publik.
Kjo ditë shënon jo vetëm një përmbyllje, por edhe një fillim të ri. Pas një rruge të mbushur me përpjekje, angazhim, dhe sakrifica sot festojmë jo vetëm një diplomë, por pjekurinë tuaj si profesionistë të rinj, të përgatitur për të dhënë kontributin tuaj në një botë që kërkon dije, integritet dhe aftësi. Diploma që merrni nuk është thjesht një dokument, ajo është një dëshmi e një formimi të plotë, të ndërtuar me përkushtim, në bashkëpunim me stafin akademik të Universitetit.
Besoj fort se formimi që keni marë këtu do të jetë baza e qëndrueshme mbi të cilën do të ndërtoni suksesin tuaj. Vlerat, dijet dhe aftësitë që keni fituar në Universitetin “Fan S. Noli” janë pasuria më e madhe që do t`ju shoqërojë në këtë rrugëtim.”
Në këtë ceremoni u përcollën urimet më të mira për të gjithë studentët diplomantë edhe nga përfaqësues të pushteti lokal, kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, z. Petrika Tollkuçi e deputetja e PD, Qarku Korçë prof. as. dr. Ledina Alolli. Ceremonia u mbyll me Betimin e Hipokratit të cilin e lexoi në emër të studentëve diplomantë të departamentit të Infermierisë, përgjegjësja e departamentit, dr. Elda Nuni.