Në datat 10-12 tetor 2023, prof. Jean-Michel de Waelle nga Universiteti i Lirë i Brukselit, studiues i shkencave politike, drejtues i mjaft projekteve kërkimore në shkallë evropiane dhe njohës i mirë i vendeve të Evropës Lindore ishte në Universitetin “Fan S. Noli”, ku zhvilloi disa takime me drejtuesit dhe stafin akademik e ndihmësakademik të institucionit.
Fillimisht, prof. Jean-Michel de Waelle u prit në takim nga rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, ku diskutuan në lidhje me ndërkombëtarizimin dhe mundësitë konkrete për aplikime në projekte, ku ekspertiza e profesorit de Waelle do të jetë shumë e vlefshme. Rektori shprehu besimin se në kuadër edhe të përfshirjes së Universitetit tonë në rrjete të ndryshme ballkanike dhe evropiane mund të marrim pjesë në projekte të mëdha dhe të rëndësishme për Universitetin tonë.
Takimet e prof. Jean-Michel de Waelle vijuan më pas me stafin akademik e ndihmësakademik, ku u diskutua për projektet Jean Monnet në fushën e Arsimit të Lartë dhe shembuj të zbatimit të tyre nga universitetet shqiptare.
Pas vizitës në laboratorët, bibliotekat dhe mjediset e tjera të Kampusit Universitar, prof. Jean-Michel de Waelle dhe prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet zhvilluan një tjetër takim me drejtuesit e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane. Atje u njohën me mundësitë multidisiplinare që ofron ky fakultet në fushën e kërkimit shkencor, ndërsa u diskutua edhe për hapësira konkete bashkëpunimi.
Në takimin me drejtues të Fakulteteve dhe Departamenteve theksi u vu në rritjen e kapaciteteve në projektet Ersmus+ dhe në Arsimin e Lartë Shqiptar. Gjithashtu u diskutua rreth mundësive për të zhvilluar mobilitete me Universitetin e Lirë të Brukselit, seminare ndërkombëtare etj.