Në datën 15 shtator 2023, në një takim të zhvilluar në mjediset e Universitetit u bë prezantimi i projekteve fituese në prani edhe të zjn. Mirela Muça, drejtor i përgjithshëm i AKKSHI-t.
Ndërsa përgëzoi fituesit e projekteve prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet nënvizoi: “Projektet fituese fokusohen kryesisht në marrëveshje dypalëshe siç është ajo midis Shqipërisë dhe Italisë, në marrëveshjen midis Universitetit dhe aplikimit të kërkimit të zhvilluar nga stafi akademik në biznes, në hulumtimin e elementëve të ndryshëm që kanë të bëjnë me kërkimin e zbatuar në fushën e letërsisë, në fushën e metodologjisë së mësimdhënies së gjuhës angleze si gjuhë e huaj, në fushën e infermieristikës, si dhe një projekt që lidhet me kërkim- zhvillimin e produkteve bujqësore. Një projekt tjetër po kaq i rëndësishëm ështe edhe ai që ka të bëjë me infrastrukturën e kërkimit shkencor i aplikuar nga departamenti i Biologji-Kimisë që ka të bëjë me ngritjen e një laboratori për matjen e cilësisë së produkteve ushqimore si një shërbim shumë i kërkuar sot në treg. Thirrja e këtij viti ka patur mjaft interes në Universitet, projektet janë të shumta por edhe mjaft cilësorë në përmbajtje dhe shpresojmë që pritshmëritë e Universitetit për aplikime të tjera të rriten”.
Më tej në fjalën e saj znj. Mirela Muça, drejtor i përgjithshëm i AKKSHI-t theksoi se kërkimi shkencor po merr një vëmendje të veçantë dhe kryesisht financimi i tij ka një trend rritës. “Për të nxitur universitetet që të financojnë në kërkim shkencor ne në kriteret financuese i kemi dhënë një rëndësi të veçantë edhe bashkëfinancimit të projekteve dhe për fat të mirë Universiteti “Fan S. Noli” është pjesëmarrëse me një kontribut domethënës në projektet e kërkimit shkencor”.
Takimi vijoi më pas me prezantimin e projekteve fituese ku prezantuesit bënë edhe argumentimin shkencor të tyre.
“Prodhimi dhe marketimi i produkteve bio të bimëve mjekësore dhe aromatike” me drejtues prof. as. dr. Gjergji Mero; “Ndërtimi i laboratorit për kërkime mbi ushqimin dhe identifikimi i metodave të avancuara të analizës së ushqimit” me drejtues dr.Redi Buzo; “Aksesi dhe hulumtimi i arkivave shtetërore dhe bashkiake midis kërkimit historik dhe vlerësimit turistik . Krahasimi i rasteve me Italisë dhe Shqipërisë” me drejtues phd. Metin Venxha; “Themeluesit e komedisë shqipe, studimi dhe ribotimi i veprave të tyre letrare të pajisura me aparat kritik” me drejtues prof.as. Jonela Spaho dhe dr. Eris Rusi; “Mësimdhënia e integruar e gramatikës, një hap drejt përfshirjes së qëndrimit komunikativ në mësimin e gjuhës angleze si gjuhë e huaj në arsimin parauniversitar shqiptar” me drejtues prof. as. dr. Benita Stavre; “Identifikimi i barrierave që ndikojnë në implementimin e “ekonomisë rrethore” në fermat blegtorale në Shqipëri” me drejtues dr. Dorjan Marku dhe projekti “Prevalenca e Helicobacter Pylori në Rajonin e Korçës” me drejtues dr. Zhinzela Qyli.
Takimi u mbyll me komente dhe diskutime nga të pranishmit.