Themeluesit e komedisë shqipe, studimi dhe ribotimi i veprave të tyre letrare të pajisura me aparat kritik

AKKSHI-  Projekte Kombëtare të Kërkimit dhe të Zhvillimit (PKKZH) 2023

Drejtues të projektit: Prof. as. dr Jonela Spaho, Dr. Eris Rusi

Departamenti i Gjuhë-Letërsisë, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë

Kohëzgjatja e projektit: 12 muaj

Përshkrimi i projektit:

Projekti “Themeluesit e komedisë shqipe, studimi dhe ribotimi i veprave të tyre letrare të pajisura me aparat kritik”, ka për qëllim ngritjen e siparit mbi kontributin e qenësishëm të autorëve korçarë në themelimin dhe lëvrimin e komedisë në vendin tonë, përmes pasurimit gradual  jo vetëm në aspektin sasior, por dhe në aspektin e cilësisë, të këtij lloji letrar. Mbi të gjitha, i rëndësishëm është fakti, se projekti synon të realizojë qëllimin për të cilin krijohet vepra dramaturgjike, kontaktin e saj me lexuesit në kohë të ndryshme. Projekti synon të çelë një shteg komunikimi mes kohëve, duke evidentuar nga pikëpamja studimore dhe kritike klimën e fillimshekullit të XX në vendin tonë, me numrin e madh të teatrove amatore të krijuara në këtë periudhë si dhe numrin e madh të komedive nga autorët korçarë që u parapëlqyen për t’u vënë në skenë dhe sidomos audienca e gjerë që i ndoqi ato. Përmes hulumtimit në këtë drejtim, synohet të dëshmohet dhe të faktohet që shoqëria shqiptare e kohës po kërkonte rrugët e veta drejt emancipimit dhe ndryshimit dhe autorët dhe veprat komike të kohës, luajtën rolin e tyre të rëndësishëm në procesin e këtij ndryshimi dhe emancipimi.

Në aspektin hulumtues, projekti ka për qëllim të krijojë një kornizë teorike, specifike, mbi komedinë si lloj letrar i lëvruar në vendin tonë, në fillesat e saj. Fushat studimore do të përfshijnë dhe specialistë që do të analizojnë dhe interpretojnë me shënime kritike veprat, jo vetëm në rrafshin letrar dhe estetik, por edhe në atë filozofik dhe psikologjik. Vepra, me komeditë e ribotuara të autorëve të përzgjedhur, do të ecë përkrah me një fushatë promovuese, me debate dhe tryeza të rrumbullakëta, që do t’i mëshojnë idesë se  zhvillimi i komedisë  në letërsinë tonë është një akt emancipimi dhe civilizimi për kulturën dhe shoqërinë shqiptare të kohës.

Objektivat e projektit:

–  Hulumtimi, përzgjedhja, vlerësimi dhe evidentimi i veprave themelore të komedisë shqipe, nga autorët korçarë themelues të kësaj gjinie letrare;

– Pajisjen e teksteve me aparat shpjegues dhe kritik për studiuesit dhe lexuesit e sotëm.

– Organizimin e simpoziumeve shkencore dhe një konference mbarëkombëtare, për rijetëzimin e veprës së “harruar” të autorëve korçarë themelues të komedisë në vendin tonë;

–  Ribotimin e veprës me përmbledhjen e teksteve të përzgjedhura, të pajisur me aparatin kritik dhe shpjegues.

– Tre artikuj shkencorë për autorët e përzgjedhur në këtë projekt.

Previous Post
Prodhimi dhe marketimi i produkteve bio të bimëve mjekësore dhe aromatike
Next Post
Identifikimi i barrierave që ndikojnë në implementimin e “ekonomisë rrethore” në fermat blegtorale në Shqipëri