Në datën 4 nëntor 2022 departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë organizoi tryezën e rrumbullakët me temë: “Prirje të standardit nën optikën e zhvillimeve të sotme të gjuhës” në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Të pranishëm ishin pedagogë e studiues nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, institucioneve të tjera e studentë. Ata u përshëndetën fillimisht nga përgjegjësja e Departamentit prof. as. dr. Anyla Saraçi, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello dhe drejtori i përgjithshëm i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, të cilët risollën në vëmendje përpjekjet për standardizimin e gjuhës shqipe, që zë fill me Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe që u ndoqën me ngjarjen kulmore të përcaktimit të parimeve drejtshkrimore në Kongresin e vitit 1972. Po në këtë kuadër u shfaq edhe ekspozita dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim” e mundësuar nga DPA.
Më pas, tryeza i vijoi punimet me diskutime rreth çështjeve: 50 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit; gjuha standarde në shkollë; a ka nevojë për ndryshim të rregullave të drejtshkrimit?; trysnia e gjuhëve të huaja në përdorimin e gjuhës standarde; probleme të dygjuhësisë në përdorimin e gjuhës standarde etj.
Në këtë tryezë u dhanë mjaft mendime dhe ide konkrete nga përfaqësues të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan; Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës; Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve, Maqedoni e Veriut.