Nga data 29 shtator – 3 tetor në kuadër të projektit bilateral “Mirëqenia emocionale dhe sociale e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë”, mbështetur nga AKKSHI u zhvillua mobiliteti i radhës në Universitetin e Prishtinës.
Takimi bëri bashkë ekipet kërkimore të departamentit të Shkencave Sociale, Universiteti “Fan S. Noli” dhe departamentit të Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës, për të realizuar rikontrollin e kodimit – Faza II, si dhe për të diskutuar rezultatet paraprake dhe për të ndarë konkluzionet mbi temat dhe gjetjet e deritanishme.
Gjatë ditëve të punës u zhvilluan gjithashtu takime me studentët e Universitetit të Prishtinës, me fokus në interpretimin e të dhënave dhe planifikimin e hapave të ardhshëm të projektit.
Në kuadër të këtij mobiliteti, ekipi zhvilloi edhe një takim me dekanin e Fakultetit Filozofik, prof. dr. Bekim Baliqi, ku u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla kërkimore dhe mundësitë për zgjerimin e tyre në të ardhmen.
Ky bashkëpunim vazhdon të forcojë rrjetëzimin akademik dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy universiteteve partnere.






