Në periudhën prill-shtator 2022, tre studente të “Institutit Agronomik Mesdhetar”, Montpellier, Francë në kuadër të programit Erasmus+ kanë zgjedhur Universitetin “Fan S. Noli” për të zhvilluar projektet e tyre kërkimore, duke u bazuar në fushat ku studiojnë.
Paula Llorens Esbri me origjinë spanjolle, studion në fushën e Inxhinierisë Bujqësore në “Institutin Agronomik Mesdhetar”, Montpellier, Francë dhe është akualisht duke punuar mbi një projekt kërkimor në Universitetin “Fan S. Noli”. Fokusi i studimit të punës së saj kërkimore janë efektet e tendencave të reja në fermat e mollëve të Korçës, duke e lidhur këtë edhe me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Jam shumë e lumtur që kam vendosur të studioj këtu, në Universitetin “Fan S. Noli”. Mendoj që ky internship do të më ofrojë një përvojë shumë të rëndësishme për karrierën time personale dhe profesionale”.
Malak Hazimeh me origjinë libaneze studion në fushën e Inxhinierisë Bujqësore në “Institutin Agronomik Mesdhetar”, Montpellier, Francë. “Unë jam Malak Hazimeh dhe ndodhem në Shqipëri për projektin kërkimor të mbylljes së vitit të fundit të studimeve, të cilin jam duke e përfunuar në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë. Internshp-i është i fokusuar në vlerësimin e shpërndarjes së ujit në fermat e mollëve në rajon. Këtu kam kuptuar që edhe pse mund të ketë shumë burime uji, shpërndarja e tij ndryshon ndërmjet fermerëve dhe kjo është shume interesante. Jam shumë e lumtur për zgjedhjen që kam bërë për të erdhur dhe punuar në Universitetin e Korçës, njerëzit janë shumë mikpritës, shumë të mirë dhe Shqipëria ka peisazhe të mrekullueshme. Unë ua rekomandoj edhe studentëve të tjerë të vijnë këtu, për ta vizituar ose për të kryer studime”.
Maya Bouhafs me origjinë algjeriane, studion në fushën e Inxhinierisë Bujqësore në “Institutin Agronomik Mesdhetar”, Montpellier, Francë. Aktualisht ndjek studimet Master në programin “Dizenjimi i sistemeve të qëndrueshme ushqimore” në këtë institut. Në Universitetin “Fan S. Noli”, ku ndodhet bashkë me shoqet e saj prej muajit prill është duke punuar për të stimuluar rendimentet e ardhshme të grurit, nën ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe për të ndërtuar strategji përshtatjeje për shmangien e uljes së prodhimit. “Jam shumë e kënaqur dhe deri tani jam duke përjetuar një përvojë të mrekullueshme, të cilën ia rekomandoj çdo studenti”.
Vajzat gjithashtu u shprehën të kënaquara për pritjen , si dhe për kushtet infrastukturore të ofruara nga Universiteti ynë, ku kanë gjetur një mjedis sa miqësor aq edhe komod për të punuar.