Në datën 16 tetor 2020 në mjediset e UNIKO u zhvillua një tryezë e rrumbullakët në kuadër të ditëve Erasmus +. Në këtë veprimtari u diskutua për procesin e të mësuarit në distancë dhe platformat që ndihmojnë në këtë proces. Në takim ishin pjesëmarrës zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, koordinatori i programit Erasmus+ në UNIKO, z. Ardian Çërava, pedagogë dhe punonjës të stafit ndihmësakademik, të cilët diskutuan për bashkëpunimin e grupeve mësimore në procesin e mësimit online, si dhe për përfitimet dhe nevojat e Universitetit në lidhje me këtë çështje.
Disa pika të tjera që u trajtuan në këtë tryezë diskutimi ishin: ndërkombëtarizimi i institucioneve të larta, si një proces dinamik në lidhje me studimet jashtë vendit; kurrikulat dhe studimet ndërkombëtare etj. Pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre, si dhe diskutuan mbi disa plane strategjikë për mundësitë e studentëve, stafit dhe institucionit.
Takimi doli me këto detyra:
- UNIKO duhet të krijojë një manual praktik me udhëzimin në përdorimin e Microsoft Teams, si një platformë mësimdhënëse dhe mësimnxënëse (Sektori i Kurrikulave dhe Sigurimit të Cilësisë dhe Sektori i IT duhet të bashkëpunojnë në krijimin dhe vënien në funksion të stafit).
- Sektori IT duhet të hartojë një plankalendar me seksionet e trajnimit të mësuesve në çdo njësi kryesore. Mësuesit duhet të njoftohen paraprakisht për modulin e trajnimit, në mënyrë që të kenë në dispozicion materialet e kursit dhe të mund të realizojnë veprimtari praktike, duke i hedhur ato në platformë gjatë trajnimit. Trajnimet duhet të fillojnë me Fakultetin e Ekonomisë për shkak të nevojës së tyre të menjëhershme për të siguruar kurse online gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2020-2021.
- Sektori i Kurrikulës dhe Sigurimit të Cilësisë duhet të hartojë një plan dhe mekanizma për sigurimin e cilësisë të kurseve online.
- Programet më të mundshme për të ofruar kurse online janë ato të ciklit të dytë. Ato janë më fleksibël në orar (për shkak të faktit se shumica e studentëve janë tashmë të punësuar) dhe kjo do t’u përshtatet më së miri nevojave të studentëve dhe pedagogëve.
- Pajisjet e blera në kuadrin e Valeu-x do të jenë në dispozicion për Qendrën e Mësimit në Distancë.
- Sektori i kërkimeve akademike dhe botimeve, duhet të sigurojë një mundësi teknike për pedagogët që të ngarkojnë literaturën e kursit në mënyrë elektronike dhe ta bëjnë atë të disponueshme për studentët në internet.